Si ndikon një dush i ftohtë në shëndetin e zemrës suaj

Si ndikon një dush i ftohtë në shëndetin e zemrës suaj

Dushet e ftohta dhe banjat me akull janë bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit, dhe pas këtij trendi fshihen efekte të vërteta fiziologjike.

Ndryshe nga banjot me akull që kërkojnë shumë vëmendje, një dush i ftohtë është një mënyrë e lehtë për të provuar ta ekspozoni trupin tuaj ndaj temperaturave të ulëta, dhe pyetja është se sa i sjell dobi zemrës dhe kush duhet ta shmangë këtë praktikë.

Sipas dr. Satjit Bhusri, uji i ftohtë mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut, i cili është thelbësor për furnizimin e organeve me oksigjen dhe lëndë ushqyese.

"Kur trupi ekspozohet ndaj ujit të ftohtë, enët e gjakut pranë lëkurës ngushtohen për të ruajtur nxehtësinë. Pasi ndalet ekspozimi, ato zgjerohen përsëri, duke bërë që gjaku të vërshojë drejt sipërfaqes dhe indeve më të thella. Ky proces përmirëson rrjedhën e gjakut dhe mund ta bëjë sistemin e qarkullimit të gjakut më efikas", shpjegon dr. Bhusri.

Ky ushtrim vaskular mund të mbështesë rregullimin e presionit të gjakut, të përshpejtojë rikuperimin e muskujve dhe të kontribuojë në shëndetin e zemrës.

Kardiologia dr. Sheila Sahni thekson se dushet e ftohta mund ta përshpejtojnë përkohësisht metabolizmin duke aktivizuar dhjamin kafe, një lloj i veçantë i indit dhjamor që djeg kalori për të krijuar nxehtësi.

"Ky proces mund ta ndihmojë trupin të përdorë sheqernat dhe yndyrnat në mënyrë më të dobishme", thekson dr. Sahni.

Një ndjeshmëri më e mirë ndaj insulinës dhe një shpenzim më i dobishëm i energjisë mund të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, por dr. Sahni thekson se ende nuk ka mjaftueshëm kërkime për të konfirmuar përfitimet afatgjata.

Megjithatë, sipas Dr. Bhusri, uji i ftohtë mund të ulë nivelin e proceseve inflamatore në trup duke ndryshuar ekuilibrin e citokinave, proteinave që marrin pjesë në përgjigjen imunitare. Kjo mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të shoqëruara me inflamacion kronik, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare. Pavarësisht përfitimeve të mundshme, një dush i ftohtë nuk është për të gjithë.

"Një goditje e papritur nga i ftohti mund të shkaktojë një rritje të ndjeshme të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut, gjë që mund të jetë e rrezikshme për njerëzit me probleme me zemrën", shpjegon dr. Bhusri.

Dr. Sahni konfirmon se tek njerëzit me arterie të bllokuara ose dhimbje në gjoks, uji i ftohtë mund të shkaktojë atak në zemër ose dhimbje të forta. Nëse keni sëmundje të zemrës, dushet e ftohta nuk janë të sigurta pa miratimin e mjekut.

Për njerëzit që duan të ekspozohen gradualisht ndaj të ftohtit, ekspertët këshillojnë të fillojnë me një dush të ngrohtë, duke ulur gradualisht temperaturën, pastaj duke kufizuar ekspozimin ndaj ujit të ftohtë në 20 deri në 30 sekonda, dhe duke alternuar intervale të nxehta dhe të ftohta.

"Tek individët e shëndetshëm, dushet e rregullta me ujë të ftohtë mund të ofrojnë përfitime të moderuara për zemrën dhe metabolizmin, por kujdesi dhe konsultimi paraprak me një kardiolog janë të nevojshëm tek individët në rrezik për sëmundje të zemrës", përfundon dr. Bhusri.

/Motilokal.com