Shifrat e reja të INSTAT: Turizmi në Shqipëri në rritje rekord

Shifrat e reja të INSTAT: Turizmi në Shqipëri në rritje rekord

Turizmi në vend ka njohur një rritje të dukshme gjatë muajit qershor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke reflektuar një sezon të suksesshëm për sektorin e akomodimit.

Hotelet raportuan një rritje të ndjeshme të fluksit të turistëve dhe netëqëndrimeve, ku kryesuan vizitorët nga Kosova me 19% të totalit dhe nga Italia me 13%.

Sipas raportit mujor të INSTAT mbi strukturat akomoduese, numri i përgjithshëm i vizitorëve u rrit me 37,2% krahasuar me qershorin e kaluar. Nga këta, vizitorët e huaj (jo-rezidentë) u rritën me 37,4%, ndërsa vizitorët vendas (rezidentë) me 36,7%.

Edhe netëqëndrimet, një tregues kyç i aktivitetit turistik, shënuan një rritje prej 38,2% në total, ku turistët e huaj patën një rritje prej 38,3% dhe ata vendas me 38,0%.

Të dhënat tregojnë se zonat bregdetare patën rritjen më të lartë të vizitorëve të huaj, me +42,4%, ndërsa hotelet dhe akomodimet e ngjashme u rritën me 35%.

Në renditjen sipas vendeve të origjinës, Kosova kryeson me 19% të turistëve të huaj, e ndjekur nga Italia me 13%, Polonia me 10%, Gjermania me 8% dhe Franca me 6%, ndërsa 44% e vizitorëve vijnë nga vende të tjera të botës.

Një tjetër tregues pozitiv është norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele, e cila arriti në 39,5%, nga 35,9% që ishte në qershor 2024, dëshmi e qartë e përmirësimit të performancës në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.

Këto shifra konfirmojnë trendin rritës të turizmit hyrës në Shqipëri, veçanërisht nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës, duke e forcuar gjithnjë e më shumë pozicionin e vendit si një destinacion i preferuar për pushime.

/Motilokal.com