Ngjyra e një automjeti mund të ndikojë drejtpërdrejt në temperaturën e ajrit përreth tij. Veturat e errëta thithin dhe lëshojnë dukshëm më shumë nxehtësi sesa ato të çelëta, gjë që mund të përkeqësojë të ashtuquajturit ishuj të nxehtësisë urbane dhe të rrisë shqetësimin e njerëzve në qytete në ditët me diell.
E dini, kur kaloni pranë një veture të parkuar në një ditë të nxehtë dhe ndjeni nxehtësinë që rrezaton prej saj? Është e vërtetë! Nuk është imagjinata juaj, thotë për New Scientist Márcia Matias e Universitetit të Lisbonës në Portugali dhe një nga autoret e studimit të botuar në revistën City and Environment Interactions.
Matias dhe ekipi i saj monitoruan dy vetura, një të zezë dhe një të bardhë, të lëna jashtë për më shumë se pesë orë nën qiell të kthjellët me temperatura prej 36°C. Vetura e zezë e rriti temperaturën e ajrit aty pranë deri në 3.8°C krahasuar me asfaltin, ndërsa vetura e bardhë nuk shkaktoi ndryshime të rëndësishme.
Pse ka rëndësi ngjyra e një veture?
E bardha reflekton 75–85 për qind të dritës së diellit, ndërsa e zeza reflekton vetëm 5–10 për qind. Një karroceri e hollë veture prej çeliku ose alumini nxehet më shpejt se asfalti më i trashë, duke intensifikuar ngrohjen lokale.
Tani imagjinoni mijëra vetura të parkuara nëpër qytet, secila duke vepruar si një burim i vogël nxehtësie ose mburojë nxehtësie. Ngjyra e tyre në fakt mund të ndryshojë se sa vapë është në rrugë, shpjegon Matias.
Potenciali i reduktimit të nxehtësisë
Rilyerja e veturave të errëta në tone më të çelëta mund të rrisë reflektivitetin e sipërfaqes nga 20 përqind në pothuajse 40 përqind në zonat ku veturat e parkuara zënë më shumë se 10 për qind të rrugës.
Strategjia për të zbutur efektin e nxehtësisë urbane është veçanërisht inovative. Flotat e automjeteve të qytetit, taksive dhe kamionëve të shpërndarjes ose furgonëve janë kandidatë të dukshëm për t'u freskuar me ngjyra më të çelëta, thotë për New Scientist Sarah Berk e Universitetit të Karolinës së Veriut, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim.
/Motilokal.com
