KFOR-i ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, pas kërkesës së institucioneve të Kosovës përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Sipas njoftimit, ndihma e KFOR-it ka përfshirë si operacionet e vëzhgimit, ashtu edhe ndërhyrjet direkte në terren.
Njësia amerikane Task Force Aviation, që vepron në kuadër të Komandës Rajonale Lindore të KFOR-it, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shuarjen e zjarreve përmes operacioneve ajrore:
Më 18 gusht, në komunën e Gjakovës, ekuipazhi realizoi 12 hedhje uji brenda pesë orësh.
Më 11 gusht, në komunën e Kamenicës, u ndërhy 11 herë gjatë një fluturimi gjashtëorësh.
Më 26 korrik, në Mitrovicë, u kryen 18 operacione ajrore për shuarjen e zjarrit brenda katër orësh.
Më 25 korrik, në Drenas, KFOR ndërhyri 39 herë gjatë një periudhe prej 20 orësh.
Në komunikatë theksohet se KFOR-i mbetet i gatshëm, brenda mundësive dhe kapaciteteve të tij, të mbështesë institucionet në parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente në Kosovë.
“KFOR vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, duke kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes – gjithmonë në mënyrë të paanshme,” thuhet në njoftim.
KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të përgjegjësive të tyre për sigurinë.
/Motilokal.com
