Një valë e re varësie po përhapet me shpejtësi, cigaret elektronike. Ato, që shpesh reklamohen si një alternativë më e butë ndaj duhanit, po dalin të jenë porta e fshehtë drejt tij.
Një raport i gjerë shkencor tregon se përdoruesit e rregullt të cigareve elektronike kanë trefish më shumë gjasa të bëhen duhanpirës në të ardhmen. Hulumtuesit britanikë paralajmërojnë se këto pajisje mund të përbëjnë një kërcënim më të madh për adoleshentët sesa besohej më parë.
Në studimin më të madh global mbi të rinjtë, ekspertët nga Universiteti i York-ut dhe Shkolla e Londrës për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale (LSHTM) zbuluan se cigaret elektronike lidhen ngushtë me përdorim më të shpeshtë dhe më intensiv të cigareve tradicionale. Përveç varësisë, ato rrisin rrezikun për sëmundje respiratore, abuzim me substanca dhe përkeqësim të astmës.
Megjithatë, disa shkencëtarë kërkojnë kujdes në interpretim, duke theksuar se shumica e studimeve të analizuara janë observacionale dhe nuk mund të provojnë me siguri se “vape” është shkaktari kryesor.
Nga analiza e 56 meta-studimeve, mbi 384 studime të përfshira, autorët vunë re një lidhje të qëndrueshme mes përdorimit të cigareve elektronike dhe kalimit drejt cigareve të zakonshme. Ata shtojnë se lidhjet e përsëritura në studimet afatgjata përputhen me një marrëdhënie shkaktare, edhe pse një përfundim absolut nuk mund të nxirret ende.
Pasojat shëndetësore nuk kufizohen vetëm tek varësia: pneumoni, bronkit, marramendje, migrenë, numër më i ulët spermatozoidesh, si dhe probleme serioze të shëndetit mendor përfshirë depresionin dhe mendimet vetëvrasëse janë të lidhura me përdorimin e tyre.
“Koherenca e dëshmive është befasuese”, thotë Dr. Su Golder nga Universiteti i York-ut. “Në shumë studime, të rinjtë që përdorin cigare elektronike kanë më shumë gjasa të fillojnë të pinë duhan në të ardhmen.”
Dr. Greg Hartwell nga LSHTM shton: “Kjo është dera që hap dëmet e panumërta të duhanit konvencional. Kufizimet më të ashpra ndaj industrisë janë të domosdoshme.”
Edhe dr. Rebekah Glover, bashkautore e studimit, e quan cigaren elektronike një “hyrje drejt substancave të tjera”, duke theksuar se dëmet janë njëkohësisht fizike dhe psikologjike.
Ndërkohë, ekspertët kujtojnë se edhe pse NHS i konsideron më të sigurta se cigaret tradicionale, “vape”-t nuk janë pa rrezik. Ato përmbajnë toksina, ndikojnë në sistemin kardiovaskular dhe efektet e tyre afatgjata mbeten një mister. Për këtë arsye, OBSH nuk i rekomandon si mjet për lënien e duhanit.
Në qershor, për të frenuar përdorimin masiv tek adoleshentët, u ndalua shitja e pajisjeve “njëpërdorimëshe”. Tani lejohen vetëm ato të ripërdorshme, me bateri të karikueshme dhe ngrohës të zëvendësueshëm.
/Motilokal.com
