Nga Shkëlzen Rrecaj
Zhurma është kudo dhe po ndikon në shëndetin tonë më shumë nga sa mund ta imagjinojmë. Shumë njerëz e dinë që disa ndotës, si kimikatet, mund të jenë të dëmshme, por shpesh nuk e kuptojmë se edhe zhurma ka efekte serioze mbi trupin tonë.
Kur mendojmë për zhurmën dhe shëndetin, zakonisht e lidhim atë me vende të zhurmshme, si koncerte apo makina të rënda, që mund të dëmtojnë dëgjimin. Megjithatë, ndikimi i ndotjes akustike shkon përtej dëgjimit dhe prek shumë aspekte të tjera të shëndetit. Për shembull, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmës së sfondit nga trafiku, edhe brenda shtëpisë, mund të shkaktojë probleme serioze si sëmundje të zemrës, presion të lartë të gjakut, mbipesha, diabet dhe më shumë.
Një arsye pse zhurma shpesh injorohet krahasuar me ndotës të tjerë, si ajri, është se efektet e saj janë më të vështira për t’u vërejtur. Me ndotjen e ajrit, mund të shohim menjëherë pasojat, si sulmet e astmës, dhe ekzistojnë paralajmërime të qarta kur është e pasigurt të dalim jashtë. Por për zhurmën nuk ka kufizime të qarta, edhe pse ndikimi i saj mbi shëndetin është po aq i rëndësishëm.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm për periudhën janar–korrik 2024 janë shqiptuar gjithsej 411,337 tiketa ndaj personave që kanë shkaktuar ndotje akustike dhe shkelje të tjera që lidhen me zhurmën në komunikacion. Ndërsa nga janari deri në korrik të vitit 2025 ky numër ka shënuar rritje, duke arritur në 448,661 tiketa.
Tafë Veselaj nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, në një prononcim për Motilokal.com, tha: “Ende është në fuqi ligji i kohës së UNMIK-ut, i vitit 2007, si dhe udhëzimi administrativ i vitit 2009, që lidhet me çështjen e zhurmës.
Ai theksoi se prej më shumë se pesë vitesh, ligji për mbrojtjen nga zhurma nuk është aprovuar, ndonëse ai përcakton qartë përgjegjësitë e çdo institucioni, qoftë lokal apo qendror, si dhe të operatorëve.

"Për këtë arsye, në aspektin e monitorimit të zhurmës nuk ka fare progres. Monitorimi kryhet vetëm nga disa operatorë, dhe kjo ndodh vetëm në raste të veçanta, sipas obligimeve që burojnë nga lejet mjedisore ose lejet e integruara”, deklaroi Veselaj.
Por si ndikon ekspozimi i përditshëm ndaj zhurmës në shëndetin mendor dhe mirëqenien e qytetarëve?
Ferdi Kamberi, sociolog, në një prononcim për Motilokal.com u shpreh: “Duhet theksuar se, në aspektin sociologjik, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmës urbane në qytetet e mëdha krijon një fenomen që sociologët e quajnë ‘stres akumulativ social’, i cili grumbullohet si rezultat i ngarkesës së jetës urbane. Ndryshe nga problemet e tjera që mund të evitohen, zhurma është një sfidë serioze që prek të gjitha shtresat sociale. Sociologu Georg Simmel ka theksuar se ‘qyteti modern krijon një mbingarkesë psikike që detyron individin të zhvillojë mekanizma mbrojtës’.
Tutje ai tha se zhurma është pjesë e kësaj mbingarkese, ajo ndikon në cilësinë e gjumit, aftësinë për përqendrim, ngarkesën e tepërt psikologjike, presionin social dhe madje edhe në aftësinë për të krijuar lidhje të thella sociale.
“Problem i veçantë është edhe ajo që mund ta quajmë ‘izolimi akustik i detyruar’, kur njerëzit detyrohen të mbyllen në vetvete për t’u mbrojtur nga zhurma. Kjo krijon një paradoks urban: nga njëra anë, jemi fizikisht të rrethuar nga ndërtime të dendura dhe nga ngufatja për shkak të mungesës së planifikimit urban; nga ana tjetër, përjetojmë izolim psikik. Mungesa e planifikimit adekuat urban, e hapësirave gjelbëruese, nuancave estetike, si dhe prania e zhurmës e hapësirës së ngushtë për rekreacion e aktivitete të tjera, ndikojnë dukshëm në mirëqenien e qytetarëve”, theksoi sociologu Kamberi.
A ka lidhje mes ndotjes akustike dhe rritjes së stresit, ankthit apo konflikteve sociale?
“Sociologët, qysh herët, i kanë kushtuar rëndësi të madhe ekologjisë sociale, duke vëzhguar problemet sociale që lidhen me urbanizmin. Në këtë kuadër, kur dikush prodhon zhurmë, ai/ajo në thelb po “bllokon” hapësirën akustike të të tjerëve pa pëlqimin e tyre. Kjo madje mund të shkaktojë edhe konflikte sociale, të cilat shfaqen në disa dimensione”, u shpreh sociologu Kamberi.

“Së pari, konfliktet ndërmjet shtresave të ndryshme shoqërore, ku familjet me të ardhura të ulëta shpesh jetojnë në zona më të zhurmshme dhe kanë më pak mundësi për t’u izoluar nga ndotja akustike.
Së dyti, konfliktet ndërgjeneratave, ku të moshuarit dhe të rinjtë kanë perceptime të ndryshme për zhurmën. Ajo që për një grup konsiderohet “jetë urbane dinamike”, për tjetrin përjetohet si “ndotje akustike”.
Së treti, konfliktet kulturore, ku komunitete të ndryshme kanë norma të ndryshme për zhurmën e “pranueshme”, duke krijuar kështu tensione në lagjet me përzierje kulturore.”
Tutje profesor Kamberi tha se sot jemi dëshmitarë të problemeve të theksuara nga ndotja akustike dhe të ndërlidhura me to. Kjo sidomos vërehet në rastet e përdorimit të mjeteve motorike, ngutjes për punë apo çështje të tjera kruciale, si edhe për shkak të mbingarkesës në qytetin e Prishtinës, ku ndodhen institucionet kryesore të vendit, por gjithashtu edhe në qytetet e tjera të mëdha, për shkak të rrugëve të ngushta dhe infrastrukturës së mbingarkuar.
I pyetur për ndikimin që ka kultura urbane dhe mënyra e jetesës në pranimin ose refuzimin e niveleve të larta të zhurmës, profesor Kamberi tha: “Sociologu i njohur Richard Sennett argumenton se “qyteti modern ka humbur aftësinë për të dëgjuar”. Kjo nuk është vetëm një humbje akustike, por një transformim kulturor, ku zhurma është normalizuar dhe shpeshherë mbetet e neglizhuar si problematikë. Në këtë drejtim, kultura urbane dhe mënyra e jetesës ndryshojnë dukshëm kur ekspozimi ndaj niveleve të larta të zhurmës bëhet i përhershëm.”
“Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, “ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës nga transporti ka efekte negative në shëndet”. Bazuar në të dhënat e raportuara në vitin 2017, sipas Direktivës për Zhurmën Mjedisore, vlerësohet se të paktën 18 milionë njerëz janë shumë të bezdisur dhe rreth 5 milionë të tjerë kanë probleme me gjumin si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj zhurmës nga transporti. Plani i veprimit për Ndotje Zero i Bashkimit Evropian synon ta zvogëlojë me 30% përqindjen e njerëzve të prekur nga zhurma e transportit. Arritja e këtij objektivi kërkon një ulje të ndjeshme të numrit të njerëzve që vuajnë rëndë nga ky fenomen.”
Sipas sociologut Kamberi kjo tregon më së miri ndikimin e gjerë të zhurmës dhe nevojën për unifikimin e politikave publike në kuadër të mbrojtjes së mjedisit. Zakonisht, kjo problematikë është më e theksuar në hapësirat urbane të dendura dhe në qytetet e mëdha, ndonëse vendet e zhvilluara tashmë kanë krijuar politika konkrete, duke respektuar direktivat e BE-së.
“Në rastin e Kosovës, problemet e tilla vazhdojnë, pasi shumë pak është bërë për përmbushjen e obligimeve që burojnë nga direktivat evropiane. Kultura urbane dhe mënyra e jetesës ndryshojnë dukshëm nga vendi në vend, si dhe ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Qytetet e mëdha, si Prishtina, shpesh përballen me ngarkesë të lartë dhe mungesë të një plani konkret për tejkalimin e saj”, deklaroi Kamberi.
Ai theksoi se në këtë segment ndikojnë edhe faktorë të tjerë, përfshirë: kulturën individuale, jetesën në kolektiv, punën në komunitet, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe politikëbërje, sidomos në nivelin lokal, si dhe aktivitete të tjera shoqërore. Të gjitha këto mund të shërbejnë si indikatorë që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e jetesës dhe në uljen ose rritjen e nivelit të zhurmës.
Ndotja akustike nuk është vetëm çështje bezdie, por një kërcënim serioz për shëndetin fizik, mendor dhe social. Nga problemet kardiovaskulare e deri te stresi dhe konfliktet urbane, ndikimi i saj është i gjerë dhe shpesh i padukshëm. Prandaj, trajtimi i saj kërkon politika të qarta, planifikim urban të qëndrueshëm dhe ndërgjegjësim shoqëror, në mënyrë që qytetet tona të jenë jo vetëm më të qeta, por edhe më të shëndetshme për të gjithë.
/Motilokal.com
