Një studim i ri shkencor zbulon një fakt shqetësues: njerëzit thithin deri në 68 mijë grimca mikroplastike çdo ditë, mjaftueshëm të vogla sa të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut. Hulumtimi, i botuar në revistën Plos One, ofron të dhënat e para mbi këtë rrugë ekspozimi, deri më tani të neglizhuar, që mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.
Grimcat kanë një diametër midis 1 dhe 10 mikrometra, rreth një e shtata e trashësisë së një fije floku njeriu, gjë që i bën ato të qëndrojnë në ajër më gjatë dhe të arrijnë më lehtë pjesët më të thella të sistemit të frymëmarrjes. "Ne u habitëm nga sasia e mikroplastikës që gjetëm, nivelet janë shumë më të larta se sa ishin vlerësuar më parë", tha Nadiia Yakovenko, një bashkautore e studimit nga Universiteti i Tuluzës në Francë.
Mikroplastikat formohen kur copa më të mëdha plastike shpërbëhen ose shtohen qëllimisht në produkte të ndryshme. Ato përmbajnë mijëra kimikate, duke përfshirë BPA-në, ftalatet dhe PFAS-in, të cilat dihet se kanë efekte toksike në trup. Deri më tani, ushqimi dhe uji mendohej të ishin burimet kryesore të marrjes së tyre, por një studim i ri sugjeron se ajri, veçanërisht ajri i brendshëm , është po aq i rrezikshëm, nëse jo më shumë.
Shkencëtarët kanë matur përqendrimet e mikroplastikës në shtëpi dhe kabina makinash dhe kanë zbuluar se nivelet brenda janë shumë herë më të larta se jashtë. Kjo për shkak të përqendrimit të lartë të materialeve plastike në një hapësirë të vogël, ventilimit të dobët dhe faktit se çdo aktivitet njerëzor, nga ecja deri te gatimi, ngre grimca në ajër ku ato qëndrojnë pezull për orë të tëra.
Përqendrimet më të larta u regjistruan në apartamente me shumë banorë, duke treguar se vetëm prania e njerëzve ndikon në nivelet e mikroplastikës në ajër. Ekspozimi afatgjatë shoqërohet me inflamacion kronik të mushkërive, i cili mund të çojë në sëmundje serioze, përfshirë kancerin.
Autorët paralajmërojnë se problemi është shumë më i madh nga sa mendohej më parë dhe se kërkon kërkime urgjente për të vlerësuar pasojat reale shëndetësore të thithjes së mikroplastikës.
/Motilokal.com
