Policia e Kosovës ka bërë të ditur se së fundmi ka trajtuar disa raste të rënda, ku fëmijë kanë postuar në internet përmbajtje që lidhen me vetëlëndim dhe tentativa për vetëvrasje.
Falë bashkëpunimit me qytetarë dhe institucionet relevante, Policia ka arritur të identifikojë fëmijët e rrezikuar dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke njoftuar prindërit dhe mekanizmat përgjegjës për trajtimin e rasteve.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe institucionet për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në krijimin e një ambienti më të sigurt në internet, veçanërisht për fëmijët.
Thirrja për prindërit dhe fëmijët
Për të parandaluar rreziqet që mund t’u kanosen fëmijëve në botën virtuale, Policia iu bën thirrje qytetarëve, në veçanti prindërve që të jenë të kujdesshëm dhe të vëzhgojnë aktivitetin online të fëmijëve të tyre.
Disa nga këshillat kryesore janë:
Prindër, bisedoni rregullisht me fëmijët për rreziqet në internet dhe monitoroni aktivitetet e tyre.
Kontrolloni se çfarë foto, video apo materiale posedojnë në telefonat dhe pajisjet kompjuterike.
Sigurohuni që fëmijët nuk janë duke luajtur lojëra të rrezikshme.
Fëmijë, tregohuni të kujdesshëm me kë shoqëroheni online dhe mos ndani të dhënat personale.
Asnjëherë mos u takoni fizikisht me persona të panjohur nga interneti pa dijeninë e prindërve.
Mos ngacmoni të tjerët në internet.
Mos shpërndani përmbajtje me abuzim të fëmijëve dhe mos luani lojëra që kërkojnë vetëlëndim.
Kufizoni qëndrimin e panevojshëm në internet.
Çdo shqetësim ndani me prindin, shokët ose drejtpërdrejt me Policinë e Kosovës.
Policia apelon që bashkëpunimi i ngushtë mes prindërve, institucioneve dhe komunitetit është çelësi për të mbajtur fëmijët të sigurt në botën digjitale.
/Motilokal.com
