Policia e Kosovës me këshilla për sigurinë e fëmijëve gjatë rrugës për në shkollë

Policia e Kosovës me këshilla për sigurinë e fëmijëve gjatë rrugës për në shkollë

Policia e Kosovës ka publikuar disa këshilla të rëndësishme për prindërit dhe fëmijët, në mënyrë që rrugëtimi i tyre drejt shkollës të jetë sa më i sigurt.

Në njoftimin e bërë në rrjetin social Facebook, Policia u bën thirrje prindërve që të planifikojnë paraprakisht rrugën për në shkollë bashkë me fëmijët, duke u mësuar emrat e rrugëve, orientimet dhe shenjat e trafikut.

“Planifikoni rrugën më të sigurt me fëmijët për në shkollë. Rishikoni emrat e rrugëve dhe orientimet për të mos u humbur. Së bashku me fëmijët mësoni shenjat e trafikut për shembull, luani lojëra për të njohur kuptimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje, Policia këshillon që fëmijët të mësohen të sigurohen para se të kalojnë rrugën, duke bërë kontakt me sy me shoferët, si dhe të shmangin përdorimin e kufjeve gjatë ecjes.

“Mësojuni fëmijëve të sigurohen që automjetet janë ndalur para se të kalojnë rrugën. Kontakti me sy me shoferët është i rëndësishëm. Largoni kufjet apo pajisjet që mbulojnë dëgjimin gjatë ecjes, zërat e trafikut janë sinjale paralajmëruese. Sigurohuni që fëmija të veshë rroba me ngjyra të ndritshme ose reflektuese, veçanërisht në ditë me shi apo errësirë”, thekson Policia.

Një tjetër këshillë është që të rriturit të jenë shembull për fëmijët, duke respektuar rregullat e trafikut.

“Mos kaloni rrugën në vende të pasigurta dhe përdorni gjithmonë dritën e gjelbër për këmbësorë ose vijat e bardha të shënuara në rrugë. Shmangni ecjen në mes të makinave të parkuara, drejtuesit mund të mos i shohin fëmijët që kalojnë”, përfundon njoftimi.


/Motilokal.com