IKSHPK njofton për rritjen e manganit në ujin e liqenit të Badovcit

IKSHPK njofton për rritjen e manganit në ujin e liqenit të Badovcit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar sot se gjatë monitorimit të rregullt të cilësisë së ujit është konstatuar rritje e vlerave të manganit në zonat që furnizohen nga Liqeni i Badovcit.

Sipas analizave të fundit laboratorike, përqendrimi i manganit në ujë ka shënuar rritje si në vetë liqenin akumulues, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e kalojnë kufirin e lejuar nga UA 10/2021, Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më tani ato nuk kanë arritur nivelin që konsiderohet rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin.

IKSHPK apelon tek qytetarët e zonave të furnizuara nga Fabrika e Ujit në Badovc që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.

Uji i Badovcit mund të shfrytëzohet vetëm për higjienë personale, mirëmbajtje të hapësirave dhe pastrim, ndërsa zierja e ujit nuk eliminon manganin, pasi bëhet fjalë për ndotje kimike.

KRU “Prishtina” ka ndërmarrë disa masa urgjente për menaxhimin e situatës:

  • Ulje të sasisë së prodhimit për ruajtjen e cilësisë;
  • Shpëlarje intensive të rrjetit shpërndarës (magjistral dhe sekondar);
  • Furnizim alternativ me ujë të pijshëm përmes autoboteve, sipas një orari të caktuar.

Zonat e prekura përfshijnë: Qytezën e Graçanicës dhe fshatrat përreth, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, fshati Preoc, Çagllavicë, Rr. Behar Begolli, Rr. Richard Holbrooke, Qendra tregtare Albi Mall, Rr. Shkupi, Rr. Holger Petersen, Rr. Malush Kosova, Lagja Qershia, Lagja NIC, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza, Rr. Enver Maloku, Lagja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, Rr.Ferat Dragaj, Rr. Hajrullah Abdullahu, Rr. Hilmi Rakovica, Rr. Vëllezërit Gërvalla, Rr. Afrim Zhitija, Rr. Armend Daci, Rr. Dervish Rozhaja, Rr. Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, Rr. Sali Nivica, Rr. Norbert Jokl, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, Rr. Mehmet Gradica, Rr. Hyzri Talla, Rr. Qamil Bala.

IKSHPK dhe KRU “Prishtina” po vazhdojnë monitorimin intensiv të situatës, duke premtuar transparencë dhe njoftime të rregullta për qytetarët.


/Motilokal.com