AMMK nis monitorimin e llojit invaziv të gaforres në Kosovë

AMMK nis monitorimin e llojit invaziv të gaforres në Kosovë

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka nisur aktivitetet hulumtuese për monitorimin e llojit invaziv të gaforres Procambarus clarkii (Louisiana red crayfish) në ekosistemet e ujërave nëntokësore të vendit.

Sipas njoftimit të AMMK-së, ky aktivitet realizohet në kuadër të një projekti ndërkombëtar të mbështetur nga Unioni Ndërkombëtar i Speleologjisë (UIS), dhe të koordinuar nga organizata Tetide APS (Itali), me pjesëmarrjen e organizatave kërkimore, speologjike dhe limnologjike nga Italia, Kroacia, Greqia, Izraeli dhe Kosova. Theksohet se në Kosovë përfaqësimi realizohet nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, i cili koordinon aktivitetet në nivel nacional.

Qëllimi i projektit, sipas AMMK-së, është studimi i përhapjes së Procambarus clarkii në ekosistemet nëntokësore dhe zhvillimi i strategjive për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve të ndjeshme. Aktiviteti përfshin monitorim shkencor të standardizuar, zgjedhjen e kampioneve bazuar në karakteristikat hidrologjike dhe gjeomorfologjike, përdorimin e kurtheve selektive për mbrojtjen e specieve vendase, si dhe vlerësimin e parametrave biologjikë dhe kimik të këtij lloji invaziv.

Hulumtimi ka filluar në “Shpellën e Flladit” në Panorc, një monument i mbrojtur i natyrës me karakter speleologjik, dhe sipas AMMK-së do të vazhdojë edhe në Shpellën e Radavcit dhe shpellat e tjera që karakterizohen nga prania e ujërave nëntokësore.

Theksohet se përmes pjesëmarrjes në këtë projekt, AMMK dhe Instituti për Mbrojtjen e Natyrës synojnë të kontribuojnë në monitorimin e natyrës dhe biodiversitetit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së biodiversitetit dhe kontrollit të specieve invazive.


/Motilokal.com