Nga Shkëlzen Rrecaj
“Një minutë i veturës së ndezur mbush 150 tullumbace me gazra të dëmshme”, “Prishtina renditet ndër qytetet me ajrin më të ndotur në Evropë”, “Trafiku i rënduar është një ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Prishtinë”, “Ajri i ndotur pengon rritjen dhe funksionimin e mushkërive të fëmijëve”, “Ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe përdorimi i transportit publik mund të ulë ndotjen e ajrit deri në 40%”, “Çdo vit, 9,000 vdekje të parakohshme shkaktohen nga ndotja e ajrit në Kosovë”.
Këto janë disa shenja/tabela rrugore të cilat përmbajnë fakte shqetësuese për ajrin e ndotur në Prishtinë të vendosura në disa nga rrugët më të ngarkuara të kryeqytetit nga Save the Children Kosova/o, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve që të braktisin automjetet dhe të ecin më shumë në këmbë.
Këto tabela janë një rikujtim i vazhdueshëm për qytetarët e Kosovës se çfarë ajri thithin përditë. Pothuajse në çdo stinë, e sidomos në dimër, ata ballafaqohen edhe me pyetjen shqetësuese: çfarë po futin në mushkëri?
Gjendja në Kosovë
Qyngat e automjeteve brenda trafikut të dendur kudo në Kosovë janë ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit, krahas termocentraleve me qymyr dhe përdorimit të druve, apo thëngjillit në ekonomitë familjare. Për fat të keq, zgjidhja për këtë problematikë të përditshme nuk shihet në horizont, për shkak të mungesës së legjislacionit të ashpër që do t’i penalizonte makinat me shkarkime të larta të gazrave të dëmshëm.
Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 32 ditë kur grimcat PM 10 kanë kaluar mbi standardet e Agjencisë Evropiane të Mjedisit. Edhe pse ky numër është më i ulët krahasuar me vitin 2010, kur ishin regjistruar mbi 120 ditë të tilla, problemi mbetet serioz.
Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se vetëm në vitin 2024 në vend ishin të regjistruara 518.861 mjete motorike dhe jomotorike, që nënkupton një rritje prej 12,7% krahasuar me vitin paraprak. Ky trend tregon se numri i automjeteve në rrugë po shtohet vazhdimisht, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e ndotjes.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës për Motilokal.com, gjatë vitit 2024 janë importuar apo doganuar gjithsej 3,648 vetura të reja, ndërsa numri i veturave të përdorura ka arritur në 34,443 njësi.
Ky raport pasqyron një kontrast të madh mes automjeteve të reja dhe atyre të përdorura që hyjnë në tregun kosovar. Pjesa dërrmuese e importeve mbetet ende te veturat e përdorura, të cilat, sipas ekspertëve, janë faktor shtesë i ndotjes së ajrit për shkak të teknologjisë më të vjetër dhe shkarkimit më të madh të gazrave të dëmshme.
Ajri dhe shëndeti i njeriut
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se ndotja e ajrit përbën ndër kërcënimet kryesore për shëndetin e njeriut. Sipas të dhënave të saj, 99 për qind e popullsisë botërore jeton në zona ku cilësia e ajrit nuk i plotëson standardet minimale.
Ndër faktorët më të rrezikshëm janë grimcat e imëta PM 2.5 dhe PM 10, të cilat përhapen lehtë në ajër dhe depërtojnë në trup përmes frymëmarrjes. Këto grimca lidhen drejtpërdrejt me probleme respiratore, astmë, sëmundje kardiovaskulare dhe rritje të vdekshmërisë së parakohshme.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në një prononcim për motilokal.com ka bërë të ditur se ndotja e ajrit nga trafiku paraqet një ndër faktorët më shqetësues për shëndetin publik në vend. Automjetet janë ndotës të mëdhenj të atmosferës, pasi emetojnë substanca të rrezikshme si monoksidi i karbonit (CO), komponimet organike të avullueshme (VOC), dioksidi i azotit (NO₂), grimcat e suspenduara (TSP), dioksidi i sulfurit (SO₂), si dhe komponimet e plumbit.
Shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që lidhen me ndotjen e ajrit nga trafiku janë:
- sëmundjet ishemike të zemrës (siz),
- goditjet në tru,
- sëmundjet e frymëmarrjes,
- sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive (spok),
- kanceri në mushkëri i shkaktuar nga ekspozimi ndaj azbestit, nikelit, benzenit, hidrokarbureve aromatike policiklike dhe radonit,
- diabeti dhe
- jetëgjatësia e shkurtuar
Efekte të tjera të rëndësishme përfshijnë:
- Përkeqësimin akut të gjendjes shëndetësore tek personat me sëmundje kronike respiratore, sidomos te astmatikët.
- Rritjen e incidencës së sëmundjeve akute respiratore te fëmijët, ku ndotësit e ajrit ulin imunitetin (grimcat e tymit dhe oksidet e azotit zvogëlojnë rezistencën e rrugëve të frymëmarrjes duke çuar në bronkit dhe pneumoni).
- Rritjen e mortalitetit në popullatën e ekspozuar, veçanërisht te grupet më vulnerabile të saj.
- Rajonet më të ndotura dhe numrin e rasteve të raportuara për vitin e fundit.
Bazuar në raportin vjetor të IHMK-së trafiku është përgjegjës për ndotjen e ajrit në shumë vendbanime, sidomos në qytete të mëdha dhe me trafik të dendur dhe te ato me numër të madh të popullsisë.
Rekomandime të IKSHPK-së për reduktimin e rrezikut shëndetësor nga ndotja e automjeteve:
- Shfrytëzimi i rregullt i transportit publik, ndërsa përdorimi i veturave private vetëm kur është e nevojshme.
- Preferohet futja në përdorim i automjeteve ekologjike.
- Temperaturat më të ulëta në shtëpi dhe zvogëlimi i përdorimit të lëndëve të ngurta të djegies për gatim, në mënyrë që të zvogëlohen emetimet.
- Mbeturinat nuk duhet djegur, por të hedhen përmes shërbimeve të rregulluara për grumbullimin e mbeturinave ose në vendet e caktuara të deponimit.
- Mundohuni të mos pini duhan në ambiente të mbyllura, veçanërisht afër fëmijëve, grave shtatzëna dhe njerëzve të moshuar, për t'i shmangur efektet shëndetësore nga ndotja në ambiente të mbyllura.
- Shmangni rrugët dhe autostradat e ngarkuara ku nivelet e PM mund të jenë më të larta për shkak të emetimeve nga makinat dhe kamionët dhe qëndroni në shtëpi kur përqendrimi i PM jashtë është i lartë ose jashtëzakonisht i lartë.
/Motilokal.com
