Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e dy centraleve fotovoltaike në vend. Njëri do të ngrihet në Ersekë me kapacitet 30 megavat, i cili do të ndërtohet nga kompania “Met Invest”. Tjetri do të ndërtohet në fshatin Povelçë të Fierit, me kapacitet 8,8 megavat, nga kompania “IDI 2005”.
Investimi për dy projektet pritet të përfundojë brenda 36 muajve, ndërsa centralet do të kenë një afat operimi 49-vjeçar.
Shoqëritë ndërtuese kanë detyrimin të raportojnë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve, të respektojnë kushtet mjedisore dhe të dorëzojnë sigurimin e kontratës në masën 5% të vlerës së investimit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike çdo tre muaj. Kontrolli do të përfshijë fazën e ndërtimit, vënies në punë dhe operimit, për të siguruar që punimet, cilësia dhe konformiteti i projekteve të jenë në përputhje me programin e miratuar dhe dokumentacionin teknik.
/Motilokal.com
