Turizmi në Shqipëri vijon të shënojë rritje të qëndrueshme vit pas viti, duke e kthyer vendin tonë në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar nga vizitorët e huaj.
Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), vetëm gjatë muajit gusht, numri i vizitorëve të huaj është rritur me gati 10%, duke arritur në 2.381.864 hyrje. Në total, duke përfshirë edhe shtetasit shqiptarë, hyrjet në territorin e Shqipërisë kapën shifrën 3.368.104, çka përbën një rritje prej 8,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, daljet nga Shqipëria janë shtuar me 12,1%, duke arritur në 3.335.824, ku 994.573 prej tyre ishin shtetas shqiptarë, një rritje prej 10,3%.
Pjesa dërrmuese e vizitorëve të huaj, rreth 97%, vijnë nga Evropa. Brenda saj, Evropa Jugore zë peshën më të madhe me 77%, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 9% dhe Evropa Qendrore/Lindore me 8%.
Arsyeja kryesore e vizitave mbetet turizmi dhe vizitat personale, që përbëjnë 99% të hyrjeve. Megjithatë, vihet re një rritje e dukshme e vizitave për biznes dhe arsye profesionale, me një shtim prej 23,3%.
Destinacionet bregdetare vazhdojnë të mbeten më të preferuarat: Saranda, Vlora, Durrësi dhe Himara tërheqin çdo vit mijëra turistë nga Evropa dhe më gjerë. Përveç plazheve, gjithnjë e më shumë vizitorë po orientohen drejt zonave malore dhe historike, të cilat po japin një kontribut të çmuar në diversifikimin e ofertës turistike dhe në shtrirjen e sezonit turistik përtej muajve të verës.
/Motilokal.com
