Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës: Raportimi për tragjedi të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës: Raportimi për tragjedi të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka bërë thirrje që raportimi për tragjedi të trajtohet me kujdes të veçantë, ndjeshmëri dhe profesionalizëm, duke u bazuar në Kodin e Etikës.

Sipas KMSHK-së, mediat duhet të raportojnë për tragjedi vetëm kur ka interes të lartë publik, duke u qasur me mirëkuptim ndaj të gjithë të prekurve. Në raste të tilla, theksohet rëndësia e mbrojtjes së privatësisë, mbulimit të fytyrës së viktimave dhe ruajtjes së diskrecionit.

“Mediat duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi, të tregojnë empati dhe vetëpërmbajtje gjatë raportimit, duke shmangur çdo formë të ekspozimit që cenon dinjitetin e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre,” thuhet në reagimin e KMSHK-së.

Në përputhje me kodin etik, mediat nuk duhet të publikojnë fotografi, video apo incizime të viktimave të aksidenteve, dhunës, vetëvrasjeve, fatkeqësive natyrore apo veprave penale, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë. Gjithashtu, rekomandohet që edhe gjatë raportimit të lejohet që njerëzit të mbajnë zi privatisht.

Publikimi i fotografive ose videove pa mbulimin e identitetit apo trupit të viktimave, sipas KMSHK-së, konsiderohet fyerje për ndjenjat e familjarëve dhe të publikut. Identifikimi i viktimave me emër dhe mbiemër duhet të bëhet vetëm kur ekziston interes i qartë publik.

Këshilli nënvizon se:

Identiteti i viktimave duhet të mbrohet.

Në pamje filmike apo fotografike duhet të mbulohet fytyra ose të paktën sytë e viktimave.

Duhet treguar kujdes me imazhet e kufomave, të plagosurve dhe skenave me gjak.

Artikujt me përmbajtje të ndjeshme duhet të shoqërohen me paralajmërim për publikun.

Kategoritë e cenueshme dhe gjendja emocionale e familjarëve nuk duhet të ekspozohen.

Sipas KMSHK-së, edhe në rastet kur përmbajtjet e ndjeshme publikohen nga autoritetet apo burime të tjera, mediat kanë detyrë të filtrojnë dhe të mbulojnë pjesët problematike, duke shmangur prezantimin sensacional të ngjarjeve.

“Jo gjithçka që publikohet nga autoritetet është e përshtatshme për t’u transmetuar në media. Gazetarët duhet të tregojnë kujdes se çfarë i ofrojnë publikut,” thekson KMSHK, duke rikujtuar se respektimi i etikës është thelbësor për ruajtjen e besimit dhe integritetit të medias.

/Motilokal.com