Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton qytetarët se në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili mund të përmbajë parazitë të llojit Anisakis simplex. Sidoqoftë, AUV thekson se kjo nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, pasi procesi i ngrirjes shkatërron aftësinë e parazitëve për të shkaktuar sëmundje.
“Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C, standard ky që asgjëson çdo rrezik të mundshëm,” thuhet në njoftim.
Rreziku ekziston vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët, i pa trajtuar me nxehtësi apo ngrirje, sidomos kur përgatitet si “crudo”, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të ketë kaluar më parë procesin e ngrirjes, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi në Kosovë.
AUV thekson se këto standarde mbështeten në studime shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë EFSA dhe FAO.
Qytetarët, mediat dhe institucionet ftohen të bazohen në informacione të sakta dhe profesionale, duke shmangur interpretimet që mund të shkaktojnë panik të panevojshëm.
Institucioni përgjegjës vazhdon të mbikëqyrë dhe kontrollojë në mënyrë rigoroze sigurinë ushqimore në treg, në përputhje me legjislacionin dhe standardet ndërkombëtare.
/Motilokal.com
