Pas një vere të gjatë dhe të nxehtë, temperaturat kanë shënuar një rënie të ndjeshme, e shoqëruar me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu, të cilat për momentin mbeten të pakta. Megjithatë, gjatë kësaj jave pritet një rënie edhe më e fortë e temperaturave, sidomos nga mesi i javës e në vazhdim. Kjo do të vijë si pasojë e një cikloni që po formohet mbi Mesdhe, i shoqëruar nga masa të ftohta ajrore që zbresin nga Rusia, të cilat do të sjellin reshje më të shumta atmosferike dhe borë të konsiderueshme në zonat malore.
Që nga pasditja e së mërkurës priten reshje të dendura shiu, ndërsa të enjten dhe të premten, përveç zonave malore, reshje bore parashikohen edhe në disa zona të ulëta, kryesisht përreth Rrafshit të Kosovës.
Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore priten reshje të dendura shiu dhe bore, sidomos në viset malore. Në Shqipëri, reshje bore parashikohen kryesisht në zonat veriore, verilindore dhe lindore, duke krijuar kushte të përshtatshme për mbulimin e terrenit me borë në disa rajone.
/Motilokal.com


