AMMK vazhdon aktivitetet për monitorimin e llojeve invazive të faunës në Kosovë

AMMK vazhdon aktivitetet për monitorimin e llojeve invazive të faunës në Kosovë

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka bërë të ditur se ka vazhduar aktivitetet hulumtuese për monitorimin e llojit invaziv Krapi i Kuq i Luizianës në ekosistemet e ujërave nëntokësore.

Pas aktivitetit të zhvilluar në “Shpellën e Flladit” në Panorc të Malishevës, AMMK thekson se monitorimi është shtrirë edhe në Shpellën e Radavcit, ku janë marrë mostra biologjike e kimike dhe janë vendosur kurthe për gjurmim të vazhdueshëm.

Ky aktivitet është pjesë e një projekti ndërkombëtar të mbështetur nga Unioni Ndërkombëtar i Speleologjisë (UIS). Sipas deklaratave zyrtare, partnerët e projektit janë organizata kërkimore, speologjike dhe limnologjike, ndërsa Kosovën e përfaqëson Instituti për Mbrojtjen e Natyrës.

Nga Instituti theksojnë se qëllimi i projektit është studimi i përhapjes së këtij lloji invaziv në ekosistemet nëntokësore, si dhe zhvillimi i strategjive për menaxhim e mbrojtje të habitateve të ndjeshme, përmes monitorimit shkencor të standardizuar.


/Motilokal.com