Si shkenca zgjidhi misterin e Trekëndëshit të Bermudës

Si shkenca zgjidhi misterin e Trekëndëshit të Bermudës

Pjesa e detit mes Floridës, Porto Rikos dhe Bermudës fitoi status legjendar në mesin e shekullit XX, kur artikujt filluan ta lidhin atë me zhdukjet misterioze të anijeve dhe aeroplanëve.

Një nga incidentet më të famshme ndodhi në vitin 1945, kur Fluturimi 19, një grup prej pesë bombarduesish të Marinës Amerikane në një mision stërvitor u zhduk në këtë zonë. Në dekadat që pasuan, mbytjet e anijeve dhe rrëzimet e aeroplanëve shpesh iu atribuoheshin forcave shkatërruese të Trekëndëshit.

Më pas, në vitin 1975, Larry Kusche botoi një libër ku hodhi poshtë këtë legjendë, duke zbuluar se raportet rreth Trekëndëshit kishin qenë të pasakta, të ekzagjeruara ose të paverifikuara. Ai përfundoi se numri i incidenteve në këtë zonë nuk ishte dukshëm më i lartë sesa në çdo pjesë tjetër të oqeanit.

Megjithatë, gjatë viteve janë propozuar shumë shpjegime, si natyrore ashtu edhe mbinatyrore. Disa e kanë fajësuar për këtë teknologjinë e mbetur nga Atlantida. Të tjerë kanë pretenduar se Trekëndëshi është një vend ku hapet një vorbull hapësirë-kohë që thith objektet në një univers paralel.

Një nga shpjegimet më të çuditshme natyrore është se flluska metani të çliruara nga fundi i detit përmbysnin anijet. Megjithatë, studimet e Shërbimit Gjeologjik të SHBA nuk regjistrojnë ndonjë çlirim të rëndësishëm të metanit në 15.000 vitet e fundit.

Shpeshtësia e lartë e uraganeve në këtë rajon mund të ketë pasur pasoja serioze në epokën kur mungonin parashikimet e sakta për të ndihmuar pilotët dhe kapitenët të shmangnin motin e keq.

Një studim i kohëve të fundit sugjeroi se stuhitë që përplasen mund të krijojnë valë gjigante deri në 30 metra të larta, të afta të fundosin edhe anije të mëdha. Simulimet laboratorike konfirmuan se këto valë kanë potencial shkatërrues, por nuk ka prova se ato ndodhin realisht në Trekëndëshin e Bermudës.

Disa pretendojnë se anomalitë magnetike i kanë bërë marinarët dhe pilotët që orientoheshin me busull të devijonin nga kursi. Edhe pse nuk janë identifikuar anomali të tilla, në fillim të shekullit XX veriu gjeografik dhe veriu magnetik janë përputhur në Trekëndëshin e Bermudës, gjë që mund të ketë shkaktuar gabime në navigim.

Vlen të theksohet se Rojat Bregdetare të SHBA nuk identifikojnë asnjë rrezik specifik në Trekëndëshin e Bermudës, dhe një studim i vitit 2013 që listonte ujërat më të rrezikshme për transportin detar nuk e përfshinte këtë rajon.

Pavarësisht volumit të lartë të trafikut ajror dhe detar, si dhe uraganeve të shpeshta, Trekëndëshi i Bermudës nuk ka përjetuar një numër statistikisht të pazakontë aksidentesh ose mbytjesh.

Arsyeja e vërtetë pse kjo legjendë ka mbijetuar kaq gjatë është shumë më e zakonshme: njerëzit janë tërhequr natyrshëm nga misteret, ndaj raportet e para për zhdukje tërhoqën vëmendje të gjerë.

Pasi miti u krijua, gazetarët ishin të shpejtë t’ia atribuonim më shumë aksidente forcave misterioze të Trekëndëshit të Bermudës. Kjo ethe është zbehur vitet e fundit, ndoshta sepse teknologjia moderne na lejon të gjurmojmë trafikun detar dhe ajror me më shumë saktësi.

/Motilokal.com