
Ashtu si vitin e kaluar, çifti i kalit të qyqes (Neophron percnopterus) ka filluar rutinën e uljes në stacionin me ushqim plotësues të ndërtuar nga PPNEA në luginën e Drinos dhe është fotografuar nga kamerat kurth.
Ky ritual do të vazhdojë gjatë gjithë procesit të folezimit, ku me lëshimin e vezëve njëri nga prindërit do kujdeset për ngrohjen e tyre ndërsa individi tjetër do kujdeset të furnizojë folenë me ushqim duke e marrë pikërisht nga ky stacion ushqimi. Pas ushqimit të vazhdueshëm të zogjve në fole, stacioni do të vizitohet dhe vetë nga të vegjlit e kalit të qyqes në mënyrë që ata të përgatiten për fluturimin e parë për mbijetesë drejt Afrikës.
Mirëmbajtja e përjavshme nga AdZM Gjirokastër ka tërhequr shpendë të ndryshëm, duke përmbushur dhe qëllimin kryesor së fundmi me vizitën e kalit të qyqes. Ushqimi i sigurt është thelbësor për mbijetesën e kalit të qyqes dhe rimëkëmbjen e popullatës së këtij lloji, ‘të rrezikuar’ në nivel botëror./Motilokal.com