
Mali i Dajtit nuk është më thjesht një park natyral ku vizitorët dhe turistët ngjiten për të kaluar orët e tyre të lira mes natyrës së bukur dhe të freskët.
Por, tashmë pas moratoriumit të gjuetisë, ka filluar të popullohet me faunën e tij tradicionale. Ishte një hipoteze që në këto ambiente të pyllëzuara të gjeje gjitar si ariu i murrmë para moratoriumit, një specie në zhdukje.
Ariu i murrmë (Ursus arctos) është një grabitqar, megjithëse jo shumë aktiv. Duke qenë se dieta e tij ka 2/3 përbërje vegjetariane, është më mirë të konsiderohet një gjithçkangrënës. Ariu ecën duke mbështetur të gjithë shputën e këmbës (plantigradë), ndaj në gjurmët e tij vërehet shpesh edhe shenja e thembrës. Në përgjithësi, lëviz gjatë natës, por ndonjëherë dhe ditën. Nuk janë plotësisht letargjikë dhe mund të zgjohen lehtësisht.
Ariu i Murrmë ka habitatin e vet, preferon të jetojë nën një mbulesë të dendur pyjore. Ai popullon të gjitha zonat e pyllëzuara, duke parapëlqyer pyjet e ahut dhe pyjet e përziera si baza për ushqim. Ka përhapje të gjerë, thuajse brenda gjithë territorit të parkut.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Tiranë ka monitoruar me anë të kamerave kurth prezencën e tij në Parkun Kombëtar, “Mali i Dajtit”.
“Nga viti në vit është evidentuar se popullata e Ariut të Murrmë është në rritje, kjo vërtetohet nga edhe nga intensiteti i fotove për çdo monitorim. Ariu i Murrmë njihet ndryshe si “Oficeri i sigurisë shëndetësore” të pyllit, pasi duke u ushqyer edhe me kërma kontribuon në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve”, shprehet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Ariu i Murrmë është një nga speciet e Parkut Kombëtar “Mali i Dajtit” dhe njihet me emri shkencor: Ursus arctos; Familja: Ursidae; Rendi: Carnivora; Gjinia: Ursus Ariu i murrmë ka një gjatësia: 100 –250 cm; lartësia nga niveli i shpatullës: 70-150 cm; dhe pesha: 80- 300 kg./Motilokal.com