'Watchers’: Bora e së premtes në Prishtinë thyen çdo rekord

'Watchers’: Bora e së premtes në Prishtinë thyen çdo rekord

Ueb-faqja Watchers.news, një shërbim ndërkombëtar lajmesh i specializuar në Tokë, shkencë dhe hapësirë, me qendër në Houston të SHBA-së, ka raportuar se bora e rënë të premten në Prishtinë ka thyer të gjitha rekordet e mëparshme për këtë periudhë të vitit.

Sipas këtij mediumi, trashësia e borës, e cila nisi të binte të enjten mbrëma dhe vazhdoi gjatë gjithë natës deri në mëngjesin e së premtes, arriti deri në 10 centimetra.

Kjo ishte jo vetëm bora më e dendur e tetorit e regjistruar ndonjëherë në rajon, por edhe bora më e hershme për këtë muaj. Rekordi i mëparshëm për reshjet më të hershme të borës daton nga 7 tetori 2017, kur ishin regjistruar vetëm 1 centimetër borë.

Po ashtu, reshjet e fundit thyen edhe rekordin për sasinë më të madhe të borës së tetorit, që deri më tani ishte 4 centimetra, i shënuar më 28 tetor 1997 dhe më 27 tetor 2003.

“Vlen të theksohet se këto rekorde të reshjeve të dendura të dëborës zakonisht janë regjistruar gjatë pjesës së dytë të tetorit, ndërsa këtë herë ato ndodhën në ditën e tretë të muajit. Reshje të tilla të dendura në fillim të tetorit janë praktikisht të padëgjuara në rajon”, ka shkruar mediumi Watchers.news.

/Motilokal.com