Rama tregon strategjinë e hapjes: Fillimisht do të lirojmë qytetet pa COVID

Rama tregon strategjinë e hapjes: Fillimisht do të lirojmë qytetet pa COVID

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se javën e ardhshme pritet që qeveria të hartojë një plan masash të tjera për sa i përket hapjes.

Sipas Ramës këto plane do të bëhen duke u bazuar tek harta e shtrirjes së virusit COVID-19, ku në zonat që ka risk të ulët, do të ketë edhe më shumë lehtësime.

“Do të hapemi me kujdes, ama jo kudo njësoj njëkohësisht. Çfarë do të thotë kjo? Po ta shohim sot bilancin e Shqipërisë në hartën e Ballkanit apo të botës po të doni ne hyjmë në grupin e vendeve më të suksesshme aktualisht, në dy parametrat kryesor, të tjerat janë të gjitha të rëndësishme por dy janë kryesor”, ka thënë Rama.

Kreu i Qeverisë Shqiptare theksoi se në një zonë si Gjirokastra apo Dibra ku risku është sot për sot shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim të masave, ndërsa në një zonë si Kruja për momentin asnjë lehtësim, apo në një zonë si Tirana apo Durrësi që kanë intensitet popullate, një lehtësim të moderuar. Natyrisht këto zona nuk janë të dhëna njëherë e përgjithnjë, por mund të variojnë në bazë të dinamikës së luftës, në bazë të shifrave të të infektuarve dhe të sjelljes së qytetarëve në raport me rregullat.

“Kjo qasje taktike do të na lehtësojë, por dhe do të na mësojë shumëçka gjatë muajit maj, por mbi të gjitha do të na garantojë një hapje shumë më të sigurtë dhe me një risk shumë më ulët që të mos kthehemi të gjithë mbrapsht, për shkak se u rrit shpejt kudo efekti i valës goditëse. E nga ana tjetër, kjo qasje do të lehtësojë shumë në zona të ndryshme lëvizjen në këmbë apo me automjet brenda për brenda zonës, pa i detyruar zonat me risk të ulët, të rrinë mbyllur njësoj si një zonë me risk të lartë për shkak se në një zonë me risk të lartë, jashtë kontaktit me ta, ka një zinxhir infeksioni”, u shpreh Rama.

Më tej Rama njoftoi se brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizjen në territorin përkatës, duke e hequr atë dhimbjen e kokës së njerëzve të fshatit p.sh për të shkuar në qytet apo të një familje të tërë për të ndenjur brenda sepse vetëm një anëtar i saj mund të dalë për pazar. Po ashtu dhe fashat orare nuk kanë pse të jenë njësoj, uniform, si në zonat me risk të ulët, ashtu dhe në zonat me risk të lartë.

“Ashtu sikundër masat e shtrënguara në një zonë me risk të lartë dhe respektimi i tyre nga të gjithë qytetarët, mund ta kthejnë atë, më shpejt se vonë, në një zonë me risk të ulët. Besoj se më kuptoni në çka po them, por sigurisht ky është parimi taktik i fragmentimit të valës goditëse të armikut, të cilin do ta shpjegojmë, argumentojmë dhe artikulojmë konkretisht qysh prej javës së ardhshme, kur në bazë të hartës së ekonomisë dhe të propozimit të Ministres së Shëndetësisë do të pilotojmë në disa zona me risk të ulët një lehtësim më të madh të masave sesa në pjesën tjetër të vendit. Kjo ishte e para dhe kryesorja nga diskutimi i sotëm”, deklaroi kryeministri Rama.

“Kështu pra miq, jemi në një situatë shumë pozitive, mos marrshim më sysh, por as nuk jemi jashtë rrezikut te madh, as nuk duhet të na gënjejë mendja se kjo luftë iku, apo se do mbarojë nesër dhe gjithçka do kthehet si më parë. Por, pa diskutim, pikërisht se deri këtu kemi bërë, keni bërë kaq shumë dhe bashkërisht kemi arritur rezultate kaq domethënëse, sot mund ta shohim muajin maj me optimizëm por pa humbur asnjë çast vëmendjen mbi faktin se hapja e mëtejshme apo kthimi pas aty ku ishim varen vetëm nga ne, varet nga sjellja e gjithsecilit, në mbrojtje të rezultatit të derikëtushëm, duke u hapur më tej, pa harruar të lajmë duart sa më shpesh, të mos afrohemi më shumë se 1 metër e gjysmë me të tjerët jashtë shtëpisë, të mos qëndrojmë me më shumë se 1 person në rrugë, të mos tolerojmë shitës pa maska, të mos futemi më shumë se dy vetë në një dyqan të vogël, të mos grumbullohemi në hyrje të tregjeve apo të bankës, por të mbajmë radhë, e kështu me radhë e me radhë”, u shpreh Rama./Motilokal.com