Pas përfundimit të të gjitha përgatitjeve të nevojshme dhe në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Ndërmarrja Publike Termokos ka filluar të marrë energji termike për të nisur sezonin ngrohës 2025/2026.
Kjo shënon herën e parë në historinë e ekzistimit të ndërmarrjes që sezoni ngrohës fillon tetë ditë para afatit të zakonshëm, si reagim i menjëhershëm ndaj përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, përkatësisht me rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për furnizim me energji termike.

Termokos dhe KEK-u po hyjnë në sezonin e dhjetë të bashkëpunimit të suksesshëm, përmes të cilit po sigurohet një furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor me ngrohje për më shumë se 25 mijë konsumatorë në kryeqytet.
Duke pasur parasysh se sistemi i ngrohjes është shumë kompleks dhe delikat, procesi i fillimit të operimit po zhvillohet me kujdes të shtuar, përmes rritjes graduale të kapacitetit të pranimit dhe shpërndarjes së energjisë termike.
Termokos kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve, pasi mund të nevojiten disa orë që ngrohja të arrijë në radiatorët e tyre.
/Motilokal.com
