Bota po konsumon më pak duhan, por epidemia e duhanit është ende larg përfundimit, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të ri, sipas të cilit një në pesë të rritur mbeten të varur nga duhani.
Sipas raportit, numri i përdoruesve të duhanit ka rënë nga 1.38 miliardë në vitin 2000, në 1.2 miliardë në vitin 2024. Që nga viti 2010, rreth 120 milionë njerëz e kanë lënë duhanin, një rënie relative prej 27 për qind. Megjithatë, miliona persona vazhdojnë të humbasin jetën çdo vit nga sëmundje të parandalueshme që lidhen me pirjen e duhanit.
“Miliona njerëz po ndalojnë ose nuk po e fillojnë përdorimin e duhanit falë përpjekjeve të kontrollit të duhanit në mbarë botën”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas tij, industria e duhanit po kundërpërgjigjet ndaj këtij progresi me produkte të reja që përmbajnë nikotinë, duke synuar agresivisht të rinjtë. “Qeveritë duhet të veprojnë më shpejt dhe më fort në zbatimin e politikave të provuara për kontrollin e duhanit”, shtoi ai.
Për herë të parë, OBSH-ja ka vlerësuar edhe përdorimin global të cigareve elektronike, duke gjetur mbi 100 milionë përdorues në mbarë botën, përfshirë 15 milionë adoleshentë.
Etienne Krug, drejtor i OBSH-së për përcaktuesit e shëndetit, promovimin dhe parandalimin, paralajmëroi se cigaret elektronike po nxisin një valë të re të varësisë nga nikotina.
“Ato reklamohen si një mënyrë për të ulur dëmin, por në realitet po çojnë në varësinë e hershme të fëmijëve nga nikotina dhe rrezikojnë të zhbëjnë dekada përparimi”, theksoi ai.
Raporti vë në dukje edhe pabarazitë gjinore dhe rajonale. Gratë kanë shënuar rënie më të shpejtë në përdorimin e duhanit, duke e ulur prevalencën në 6.6 për qind deri në vitin 2024. Ndërkaq, burrat të cilët përbëjnë mbi 80 për qind të përdoruesve nuk pritet të arrijnë objektivat globale të reduktimit deri në vitin 2031. Evropa ka aktualisht prevalencën më të lartë të përdorimit të duhanit në botë, me 24.1 për qind.
OBSH-ja u bëri thirrje qeverive të forcojnë masat kundër duhanit, përfshirë rritjen e taksave, ndalimin e reklamave, mbylljen e boshllëqeve rregullatore dhe zgjerimin e shërbimeve për ndërprerjen e duhanit.
“Pothuajse një në pesë të rritur ende përdor produkte që përmbajnë duhan apo nikotinë. Nuk mund të ndalemi tani”, tha Jeremy Farrar, ndihmësdrejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
/Motilokal.com
