Kështu mund të duket Lamborghini në dekadën e ardhshme

Kështu mund të duket Lamborghini në dekadën e ardhshme

Lamborghini nuk është një kompani që eksperimenton lehtë me identitetin e saj. Edhe pse gjuha gjashtëkëndore e dizajnit të saj vazhdon të evoluojë, modelet e ardhshme duket se do të mbeten besnike ndaj stilit të njohur, me linja të mprehta dhe formë agresive.

Në kuadër të 20-vjetorit të studios së dizajnit Lamborghini Centro Stile, kompania ka prezantuar një studim të ri konceptual të quajtur “Manifesto”, që mund të ofrojë një pamje të qartë të drejtimit të ardhshëm të dizajnit të markës.

Drejtori i dizajnit, Mitja Borkert, ka thënë në Instagram se ky koncept paraqet “të ardhmen e mundshme të ADN-së sonë unike të dizajnit”.

Modeli “Manifesto” sjell një evolucion të qasjes aktuale stilistike: një pjesë të përparme në formë peshkaqeni, ndriçim karakteristik në formë Y dhe një xham të pjerrët që bashkohet në mënyrë harmonike me pjesën e pasme. Çatia e xhamtë që shtrihet mbi pasagjerët dhe linjat fluide e bëjnë modelin të dallohet menjëherë.

Në pjesën e pasme spikat një difuzor masiv, ndërsa parakolpët e shkurtër zbulojnë gomat e mëdha, duke i dhënë makinës një pamje thuajse si nga bota e Hot Wheels edhe pse për momentin mbetet vetëm një koncept.

Prototipi nuk ka dyer dhe kabina është e rrethuar plotësisht nga xhami, një zgjidhje futuriste që ndoshta nuk do të shohë prodhim real, por që mund të ndikojë në modelet e ardhshme.

Nën këtë dizajn vizionar fshihen elementë më realistë, si dritat e përparme dhe të pasme të frymëzuara nga modeli Fenomeno. Megjithatë, “Manifesto” mbetet një ushtrim krijues, plot ide që mund të materializohen në dekadën e ardhshme.

“Ne përcaktojmë trendet, nuk i ndjekim ato. Duhet gjithmonë të shohim përpara vitin e ardhshëm dhe 20 vitet e ardhshme”, tha Borkert.

Për momentin, Lamborghini sapo ka rifreskuar gamën e saj me modelet Temerario dhe Revuelto, të prezantuara në vitet 2023 dhe 2024, ndaj nuk pritet që elementët e “Manifesto”-s të shfaqen së shpejti në prodhim.

Koncepti është pjesë e një jubileu më të gjerë kushtuar studios Centro Stile, e cila u themelua në fillim të viteve 2000 dhe realizoi makinën e saj të parë në vitin 2005. Me shumë projekte të reja në horizont, përfshirë modele me prodhim të kufizuar, është e mundur që disa prej ideve të “Manifesto”-s të gjejnë rrugën drejt supermakinave të ardhshme të markës italiane.

/Motilokal.com