Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar një pjesë nga Raporti për Mjedisin në Evropë 2025, ku theksohet se Kosova mbetet ndër vendet më të ndjeshme ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike në rajon, me pasoja të dukshme ekonomike dhe sociale.
Sipas raportit, Kosova është e prirur ndaj fatkeqësive natyrore si thatësirat, zjarret, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet, të cilat ndikojnë ndjeshëm në aktivitetin ekonomik, stabilitetin fiskal dhe popullatat e cenueshme. Parashikimet klimatike tregojnë për ngrohje më të lartë rajonale, ulje të reshjeve vjetore dhe përmbytje më të shpeshta pranverore, që mund të shkaktojnë mungesë uji në disa pellgje lumenjsh dhe dëmtime të sektorëve bujqësorë e pyjorë.
Raporti tregon se përmbytjet e fundit kanë shkaktuar dëme ekuivalente me 0.9% të produktit të brendshëm bruto (PBB), duke prekur rreth 10.000 banorë në vit dhe duke rezultuar në humbje prej afërsisht 50 milionë dollarë amerikanë në ekonomi. Vetëm gjatë vitit 2023, përmbytjet shkaktuan 3.75 milionë euro dëme në familjet e prekura.
Ndërkohë, Banka Botërore vlerëson se humbjet nga zjarret në pyje arrijnë në 1.368 euro për hektar, me 14.144 hektarë të prekur në periudhën 2008–2018.
Në raport theksohet gjithashtu se Strategjia Kombëtare për Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë dhe Draft Strategjia e Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike dëshmojnë për angazhimin e Kosovës në rritjen e qëndrueshmërisë dhe zvogëlimin e cenueshmërisë ndaj rreziqeve klimatike.
Këto dokumente ofrojnë masa të qarta për adresimin e ndikimeve klimatike, përfshirë investimet në infrastrukturë të gjelbër, menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave dhe forcimin e kapaciteteve lokale për reagim ndaj fatkeqësive natyrore.
/Motilokal.com
Foto: Sefer Aliqkaj
