Pas njoftimeve të publikuara në sistemet ndërkombëtare ADIS dhe WAHIS, lidhur me konfirmimin e shpërthimit të sëmundjes Gjuha e Kaltër (Bluetongue – BT) në shtetin e Malit të Zi, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje në territorin e Republikës së Kosovës.
Me këtë qëllim, AUV ka vendosur ndalesë të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhë, dele dhe dhi nga i gjithë territori i Malit të Zi.
Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit përfshirë Policinë e Kosovës, Doganat dhe zyrtarët e AUV-së janë urdhëruar të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen e kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet.
Të gjitha institucionet përkatëse janë të obliguara të bashkëpunojnë ngushtë dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme në funksion të parandalimit të përhapjes së sëmundjes.
Çfarë është sëmundja “Gjuha e Kaltër” (Bluetongue – BT)?
- Është një sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të insekteve të llojit Culicoides (mushkonja).
- Prek ruminantët shtëpiak, përfshirë gjedhët, delet dhe dhitë.
- Delet janë më të ndjeshme ndaj sëmundjes, pasuar nga dhitë dhe gjedhët.
- Shenjat klinike dhe ngordhjet paraqiten kryesisht tek delet, ndërsa gjedhët shpesh shërbejnë si rezervuar i virusit.
- Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
/Motilokal.com
