Edhe pse shumica e konsiderojnë perime, kungulli në fakt është frut, sepse përmban fara, të cilat janë gjithashtu të ngrënshme dhe shumë ushqyese.
Ky simbol i vjeshtës, që shpesh e shohim si dekor për Halloween, është shumë më tepër se kaq: i shijshëm, i pasur me vlera ushqyese dhe jashtëzakonisht i gjithanshëm në kuzhinë.
1. Pak kalori, shumë përfitime
Kungulli përmban rreth 94% ujë dhe vetëm 49 kalori për filxhan, duke e bërë ideal për ata që duan të ruajnë peshën ose të ndjekin një stil jetese më të shëndetshëm.
Falë fibrave që përmban, ndihmon në ngopje dhe kontroll të oreksit, prandaj mund të konsumoni më shumë pa u ndier të rënduar.
2. Burim i shkëlqyer i vitaminës A
I pasur me beta-karoten, që trupi e shndërron në vitaminë A, kungulli forcon sistemin imunitar, përmirëson shikimin dhe ndihmon në ruajtjen e një lëkure të shëndetshme.
Kjo vitaminë kontribuon edhe në prodhimin e kolagjenit, duke mbajtur lëkurën elastike dhe të mbrojtur nga rrezet e diellit.
3. Fuqi antioksiduese
Karotenoidët si alfa-karoteni, luteina dhe zeaksantina mbrojnë qelizat nga dëmtimet oksidative, duke ngadalësuar procesin e plakjes dhe ulur rrezikun e sëmundjeve kronike si zemra apo kanceri.
Gjithashtu, ndihmojnë në uljen e oksidimit të kolesterolit LDL, duke ruajtur enët e gjakut të shëndetshme.
4. Mbështetje për sistemin imunitar
Përveç vitaminës A, kungulli përmban vitaminë C, E, hekur, acid folik dhe bakër, që ndihmojnë në prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe përshpejtojnë shërimin e plagëve.
Rezultati? Një trup më i mbrojtur dhe me më shumë energji.
5. I dobishëm për zemrën
Falë kaliumit, fibrave dhe vitaminës C, kungulli kontribuon në uljen e tensionit të gjakut dhe mbron shëndetin kardiovaskular.
6. I gjithanshëm në kuzhinë
Nga supa dhe makaronat, deri te byrekët dhe petullat, kungulli përshtatet lehtësisht me çdo recetë.
Pasi të hiqni farat, mos i hidhni, mund t’i piqni ose t’i përdorni për vaj farash kungulli, i cili ndihmon në shëndetin e zemrës dhe fshikëzës.
Në treg mund ta gjeni të freskët ose të konservuar por gjithmonë lexoni etiketën për të shmangur produktet me sheqer të shtuar.
Kujdes
Kungulli ka efekt të lehtë diuretik, prandaj personat që marrin ilaçe si litiumi duhet të konsultohen me mjekun.
Gjithashtu, dalloni midis kungullit të freskët dhe produkteve të përpunuara si ëmbëlsira apo latte, të cilat shpesh janë të pasura me sheqer dhe humbin vlerat ushqyese.
/Motilokal.com
