Fermerët e Zelandës së Re duhet të ulin emetimet e metanit deri në vitin 2050

Fermerët e Zelandës së Re duhet të ulin emetimet e metanit deri në vitin 2050

Zelanda e Re planifikon të ulë emetimet e metanit biogjenik, i cili prodhohet në proceset e tretjes së kafshëve ripërtypëse si delet dhe bagëtitë, me 24 përqind deri në vitin 2050 krahasuar me nivelet e vitit 2017, njoftoi të dielën ministri i bujqësisë.

Njoftimi erdhi pasi qeveria në prill hodhi poshtë një plan për të vendosur tarifa për emetimet e gazrave serrë në bujqësi, duke iu përkulur presionit nga fermerët të cilët thanë se një masë e tillë do t'i bënte bizneset e tyre të pafitimprurëse.

Objektivi i ri për klimën, i cili ende duhet të miratohet nga qeveria, do të përfshijë uljen e emetimeve të metanit biogjenik me 14 deri në 24 për qind deri në vitin 2050 krahasuar me nivelet e vitit 2017, tha të dielën Ministri i Bujqësisë Todd McClay.

"Ne kemi marrë një sërë këshillash dhe kemi punuar ngushtë me përfaqësuesit e sektorit për të rënë dakord për një objektiv praktik që do të mbronte prodhimin e ushqimit, duke ulur ndjeshëm emetimet e gazrave serrë nga fermat e Zelandës së Re", tha McClay në një deklaratë.

"Tani po paraqesim një rrugë praktike dhe të drejtë që merr parasysh efikasitetin e bujqësisë së Zelandës së Re, mbron vendet e punës dhe prodhimin dhe është në përputhje me angazhimet klimatike që kemi bërë", theksoi ministri.

Sipas qeverisë, qëllimi do të rishikohet në vitin 2040, kur do të kontrollohet nëse është ende në përputhje me faktet shkencore dhe me progresin e partnerëve kryesorë tregtarë në zonë.

Qeveria e mëparshme kishte prezantuar një plan sipas të cilit fermerët do të duhej të paguanin për emetimet e gazrave serrë që nga fundi i vitit 2025. Ishte plani i parë i tillë në botë.

Zelanda e Re është shtëpia e pesë milionë banorëve, 10 milionë bagëtive dhe 26 milionë deleve. Pothuajse gjysma e emetimeve të gazrave serrë të vendit vijnë nga sektori bujqësor, kryesisht metani, vëren Reuters.

/Motilokal.com