Rritjet alarmante të temperaturave të oqeaneve i kanë çuar shkëmbinjtë koralorë të botës në prag të kolapsit, duke shënuar zyrtarisht pikën e parë të kthesës klimatike për një ekosistem të tërë, sipas Raportit Global të Pikave të Kthesës 2025.
Raporti, i koordinuar bashkërisht nga Universiteti i Exeterit dhe Fondi Botëror për Natyrën (WWF), mblodhi së bashku 160 shkencëtarë nga e gjithë bota. Melanie McField e programit "Shkëmbinj të Shëndetshëm për Njerëz të Shëndetshëm" të Institutit Smithsonian, bashkautore e kapitullit mbi koralet, paralajmëroi se rënia e këtyre ekosistemeve përbën një kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e njeriut, për të cilin qeveritë botërore nuk janë të përgatitura. "Jemi në një pikë kthese", tha ajo.
I ndjeshëm ndaj rritjes së temperaturës
Koralet e ujërave të ngrohta mbështesin deri në një të tretën e të gjitha specieve detare të njohura dhe sigurojnë ushqim, të ardhura dhe mbrojtje bregdetare për pothuajse një miliard njerëz. Vlera e tyre ekonomike globale vlerësohet në 9.3 trilionë euro në vit. Por koralet janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj rritjes së temperaturave të detit. Që nga viti 2023, valët rekord të nxehtësisë globale kanë shkaktuar zbardhjen e më shumë se 80 për qind të shkëmbinjve nënujorë të botës.

Gjatë zbardhjes, koralet lëshojnë algat që i ushqejnë, zbardhen dhe bëhen të prekshme nga sëmundjet dhe përfundimisht vdesin nga uria. McField e përshkroi zbardhjen e koraleve si një ngjarje në një shkallë krejtësisht të ndryshme nga çdo gjë që shkencëtarët kanë parë më parë.
Autori kryesor i raportit, Tim Lenton nga Universiteti i Exeter, shpjegoi se koralet e ujërave të ngrohta arrijnë pragun e tyre termik në rreth 1.2°C mbi nivelet para-industriale, me një kolaps të plotë që ndodh në rreth 1.5°C. "Ne modeluam se si do të dukej bota me ngrohjen prej 1.5°C dhe pamë pasojat. Shumica e shkëmbinjve koralorë do të ishin në rrezik të zhdukjes së përhapur dhe shndërrimit në një gjendje algash dhe bari deti", u tha Lenton gazetarëve në lansimin e raportit, sipas New Scientist.
Lenton beson se rimëkëmbja mund të arrihet vetëm nëse temperatura globale ulet në 1.2 °C mbi nivelet para-industriale, megjithëse ai pranon se ky qëllim shkon shumë përtej angazhimeve aktuale ndërkombëtare.
Terry Hughes nga Universiteti James Cook shtoi: "Fati i shkëmbinjve koralorë në dekadat e ardhshme varet nga ne nëse do t'i zvogëlojmë shpejt emetimet globale të gazrave serrë", paralajmëroi ai.
Lenton u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të veprojnë urgjentisht në konferencën e ardhshme për klimën COP30 në Brazil. “Po i afrohemi me shpejtësi pikave të shumta kthese të sistemeve të Tokës që mund të riformësojnë botën tonë me pasoja shkatërruese për njerëzit dhe natyrën”, tha ai në fund.
/Motilokal.com
