Çfarë ndodh me mbeturinat hapësinore?

Çfarë ndodh me mbeturinat hapësinore?

Një njeriu mund t’i duket si mbeturinë ajo që për një tjetër është thesar, përveç nëse bëhet fjalë për mbeturinat hapësinore. Këto janë tepër të vështira për t’u marrë, përveç nëse ke një anije kozmike ose një raketë. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse hapësira tashmë ka një problem serioz me “mbeturina”, që sipas raporteve të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), u përkeqësua edhe më shumë në vitin 2024.

Sot, sistemet e monitorimit gjurmojnë rreth 40 mijë fragmente të mëdha mbeturinash, ndërsa qindra mijëra copa më të vogla enden nëpër orbitë. Të mëdha apo të vogla, çdo copë mbeturine shton rrezikun e përplasjeve me shpejtësi të lartë. Në vitin 2021, për shembull, një satelit ushtarak kinez u godit nga mbeturina të pakontrolluara dhe shpërtheu. Ky rrezik nuk kërcënon vetëm astronautët dhe anijet që nisen drejt hapësirës, por edhe satelitët që mbështesin shërbime jetike në Tokë. Ironia më e madhe është se aktualisht nuk ekziston asnjë plan konkret për pastrimin e tyre.

Në thelb, mbeturinat hapësinore lejohen të qëndrojnë në orbitë për vite me radhë, derisa të rikthehen në atmosferën e Tokës dhe me shpresë të digjen gjatë hyrjes. Koha që i duhet një objekti për të rënë varet nga lartësia e tij. Objektet mbi 965 kilometra larg pragut të rihyrjes mund të qëndrojnë në orbitë për shekuj të tërë. Problemi është aq i madh, sa çdo udhëtim në orbitën e ulët të Tokës duhet të llogarisë probabilitetin e një përplasjeje, dhe Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) shpesh detyrohet të kryejë manovra shmangieje. Edhe pse, duhet thënë, kjo nuk është gjëja më e keqe që i ka ndodhur ISS-it.

Megjithatë, duhet të ketë një mënyrë më të mirë për t’u marrë me gjithë këtë “mbeturina” hapësinor. Një hulumtues dhe profesor në Universitetin Tohoku në Japoni, Kazunori Takahashi, mund të ketë gjetur një zgjidhje duke përdorur një sistem shtytës me plazmë. Një satelit i posaçëm, i pajisur me një motor shtytës, mund të “tërheqë” mbeturinat hapësinore dhe t’i ngadalësojë ato derisa të bien nga orbita. Kjo do të ishte një zgjidhje pa kontakt të drejtpërdrejtë, ndryshe nga metodat e tjera që kërkojnë prekje fizike dhe rritin rrezikun e përplasjeve.

Si do të funksiononte sistemi i shtytjes me plazmë për të pastruar hapësirën?

Kur ISS detyrohet të shmangë mbeturinat dy herë brenda një jave, është e qartë se duhet bërë diçka. Por heqja e mbeturinave pa i lënë të bien vetë nga orbita zakonisht kërkon kontakt të drejtpërdrejtë. Afërsia me mbeturinat mund të shkaktojë përplasje, duke rrezikuar njerëz, robotë apo pajisje shumë të kushtueshme. Prandaj, zgjidhja ideale do të ishte një metodë pa kontakt, me konsum të ulët energjie dhe resursesh. Takahashi beson se shtytja me plazmë është përgjigjja.

Sateliti pastrues do të lëshohej në orbitë me mision të posaçëm për të hequr mbeturinat hapësinore. I pajisur me një motor plazme, ai do të hedhë rryma plazme drejt mbeturinave, duke krijuar forcë që i ngadalëson ato dhe i bën të bien më shpejt nga orbita, jo për vite apo shekuj, por për vetëm disa minuta.

Por, si çdo forcë, edhe kjo krijon një reagim të barabartë në drejtim të kundërt. Plazma e lëshuar do ta shtynte edhe vetë satelitin pas, duke ulur efikasitetin e procesit. Për këtë arsye, Takahashi ka zhvilluar një “shtytës plazme dykahësh”, që lëshon plazmë në dy drejtime të kundërta, duke balancuar forcat dhe parandaluar lëvizjen e satelitit. Ai testoi këtë metodë në tuba vakumi, që simulojnë kushtet e ashpra të hapësirës, dhe rezultatet treguan se dizajni funksionon, madje mund të përshpejtojë procesin e daljes nga orbita.

Teknologjia nuk është ende gati për përdorim real, por ky zhvillim përfaqëson një hap të madh drejt krijimit të një sistemi efikas dhe të sigurt për pastrimin e hapësirës.

/Motilokal.com