Dy tërmete me magnitudë 3.9 dhe 4.0 të shkallës Rihter janë regjistruar pak pas mesnatës në jug të vendit, sipas të dhënave të Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).
Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete, përfshirë Elbasanin, Beratin dhe zonat përreth Skraparit. Sipas EMSC-së, ato janë regjistruar në orën 00:58 dhe 00:59, me epiqendër rreth 16 kilometra në jugperëndim të Çorovodës dhe rreth 77 kilometra në jug të Elbasanit.
Thellësia e tërmeteve ka qenë vetëm 2.5 kilometra, çka i klasifikon si të cekët dhe për pasojë, më të ndjeshëm në sipërfaqe.
Tërmetet janë ndjerë edhe në Tiranë, rreth 104 kilometra larg epiqendrës. Sipas raportimeve nga qytetarët në rrjetet sociale, lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda, duke shkaktuar shqetësim, por pa shkaktuar dëme materiale apo viktima.
Ekspertët sqarojnë se tërmetet me magnitudë rreth 4.0 konsiderohen të moderuara, por mund të ndjehen qartë në ndërtesa, sidomos kur ndodhin në thellësi të vogël. “Tërmetet e cekëta perceptohen më fort nga popullata, edhe kur magnituda e tyre është mesatare”, thuhet në shpjegimin teknik të EMSC-së.
/Motilokal.com
