Aksident tragjik në Malet e Sharrit: Humb jetën një bjeshkatare gjermane në afërsi të Liqenit të Jazhincës

Aksident tragjik në Malet e Sharrit: Humb jetën një bjeshkatare gjermane në afërsi të Liqenit të Jazhincës

Një bjeshkatare me shtetësi gjermane ka humbur jetën në një aksident malor në zonën e Liqenit të Jazhincës, në Malet e Sharrit. Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), i cili ka zhvilluar operacionin e kërkim-shpëtimit të quajtur “Operacioni Liqeni i Jazhincës”.

Sipas njoftimit zyrtar, më 19 tetor 2025, ShKShMK ka pranuar një thirrje nga një grup bjeshkatarësh që kishin hasur në një trup pa shenja jete pranë shtegut kryesor që çon drejt Liqenit të Jazhincës. Pas marrjes së informatave dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, një skuadër e kërkim-shpëtimit është nisur menjëherë drejt lokacionit.

Ekipet e ShKShMK-së dhe të hetuesisë, pasi janë takuar në fillim të shtegut, kanë filluar operacionin në kushte të vështira errësirë dhe temperatura të ulëta. Pas disa orësh marshimi, është bërë e mundur lokalizimi i viktimës në koordinatat e raportuara më herët nga grupi i bjeshkatarëve.

Nga hetimet e para, dyshohet se viktima, shtetasja gjermane M. N., po udhëtonte e vetme në zonë kur këmba i kishte ngecur në një çarje midis shkëmbinjve. Për shkak të mungesës së mbulueshmërisë telefonike dhe pamundësisë për të kërkuar ndihmë, ajo dyshohet të ketë ndërruar jetë si pasojë e hipotermisë nga kushtet atmosferike të ftohta.

Operacioni i evakuimit ka zgjatur nëntë orë të plota, ndërsa në të ka asistuar edhe një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në fund, ShKShMK ka shprehur ngushëllimet e sinqerta për familjarët e viktimës dhe ka falënderuar të gjitha ekipet që morën pjesë në operacion.


/Motilokal.com