Nga Shkëlzen Rrecaj
Krahas problemeve të theksuara me menaxhimin e mbeturinave, ndotjen e lumenjve, shkatërrimin e hapësirave të gjelbra dhe pyjeve, Kosova vazhdon të përballet edhe me ndotjen e ajrit, e cila po përkeqësohet çdo vit. Çdo veturë që regjistrohet paguan 10 euro taksë ekologjike, një detyrim që supozohet të shërbejë për mbrojtjen e mjedisit. Megjithatë, përkundër rritjes së të hyrave nga taksat mjedisore, shpenzimet për mbrojtjen reale të mjedisit po zvogëlohen.
Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të përpunuara nga Atlas Institute, zbulojnë një pabarazi të qartë midis parave që qytetarët dhe bizneset paguajnë dhe investimeve reale që kthehen për mjedisin. Kjo tregon jo vetëm mungesë transparence, por edhe një mungesë të thellë përkushtimi institucional ndaj krizës mjedisore.
Ndërkohë që qytetarët kontribuojnë me taksa të rregullta, ajri mbetet i ndotur, lumenjtë e degraduar, pyjet të pakontrolluara dhe sistemi i menaxhimit të mbeturinave në kolaps. Rritja e të ardhurave nuk ka sjellë asnjë përmirësim të dukshëm; përkundrazi, diferenca midis të hyrave dhe shpenzimeve po thellohet çdo vit.
Në këtë situatë, pyetja bëhet më se e qartë dhe shqetësuese: A po përdoren taksat mjedisore për të mbrojtur natyrën dhe shëndetin e qytetarëve apo thjesht për të mbushur arkën e shtetit?
Që nga viti 2012 qytetarët e Kosovës paguajnë taksën ekologjike e cila për tërë këto vite është mbledhur në emër të mbrojtjes së mjedisit. Republika e Kosovës në vitin 2012 ka miratuar Ligjin Nr. 04/L-117 për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve dhe sipas këtij ligji qytetarët obligohen që të paguajnë një taksë vjetore për regjistrimin e automjeteve në një shumë nga 10 deri 30 euro në varësi të tonelatës së veturës.
Ligji për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve ka të meta të mëdha në vetvete. Ky ligj i obligon pronarët e veturave hibride të paguajnë taksën ekologjike, gjë që është mjaft paradoksale. Në vend se pronarët e automjeteve që nuk bëjnë emetim apo bëjnë emetim të ulët të gazrave ndotës të mbështeten nga politikat shtetërore, ata përkundrazi detyrohen të paguajnë një taksë të tillë që është mjaft dekurajuese.
Në Kosovë, të hyrat nga taksat mjedisore po rriten çdo vit, por shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit po zvogëlohen. Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të përpunuara nga Atlas Institute, tregojnë një pabarazi të theksuar midis asaj që mblidhet dhe asaj që realisht investohet për mjedisin.

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës
Në periudhën gjashtëvjeçare 2019–2024, Kosova ka mbledhur më shumë se 1.9 miliardë euro nga taksat mjedisore. Megjithatë, për mbrojtjen e mjedisit janë shpenzuar vetëm rreth 71 milionë euro gjithsej, më pak se 4% e asaj që është mbledhur.
Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se të hyrat nga taksat mjedisore janë 377.7 milion euro, rreth 37 milionë më shumë se në vitin 2023.
Shpenzimet për mjedisin janë 7.4 milion euro, që është 491 mijë euro më pak se një vit më parë.
Pra, ndërsa të ardhurat rriten, fondet për mjedisin po bien. Kjo tregon se taksat mjedisore nuk po përdoren proporcionalisht për qëllimet për të cilat mblidhen.
Ku po shkojnë paratë e taksave mjedisore?
Kjo pabarazi ngre pyetje serioze për transparencën buxhetore dhe prioritetet e politikave publike.
Në vend që të përdoren për përmirësimin e cilësisë së ajrit, menaxhimin e mbeturinave apo mbrojtjen e burimeve natyrore, pjesa dërrmuese e të ardhurave nga taksat mjedisore po përfundojnë në buxhetin e përgjithshëm, pa destinim të qartë mjedisor.
Ndërkohë, problemet mjedisore në vend, ndotja e ajrit, mungesa e riciklimit, degradimi i lumenjve e pyjeve mbeten të pazgjidhura dhe shpesh përkeqësohen nga mungesa e investimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka mbledhur qindra miliona euro nga taksat mjedisore, ndërsa ka shpenzuar vetëm pak milionë për mbrojtjen e mjedisit. Si e shpjegoni këtë pabarazi të madhe?
Egzona Shala Kadiu nga organizata për mbrojtjen e mjedisit EcoZ, për Motilokal.com theksoi se kjo pabarazi tregon mungesë të kuptimit dhe të prioritetit institucional për çështjet mjedisore. Taksat mjedisore janë krijuar për të ndëshkuar ndotësit dhe për të financuar masa korrigjuese, por në praktikë ato përfundojnë në buxhetin e përgjithshëm të shtetit, duke humbur qëllimin e tyre fillestar.
Sipas saj kjo ndodh për shkak të mungesës së një kodi buxhetor dhe procesi administrativ të dedikuar, çka dëshmon se mjedisi ende nuk trajtohet si prioritet zhvillimor, por si kategori buxhetore për grumbullim të mjeteve, jo për investime të duhura.

“Në vend që të rikthehen për përmirësimin e cilësisë së ajrit, ujit apo menaxhimin e mbeturinave, këto të ardhura shpesh përdoren për mbulimin e shpenzimeve të përgjithshme fiskale, e në disa raste madje financojnë projekte me ndikim negativ në mjedis, si subvencionimin e KEK-ut apo ndërtimin e urave mbi lumenj pa vlerësime mjedisore”, deklaroi znj. Shala-Kadiu
Duke u bazuar në këto të dhëna, është e qartë se mënyra se si trajtohen të hyrat nga taksat mjedisore ngre një shqetësim të madh për përdorimin e tyre real. Në këtë kontekst, mund të thuhet se Qeveria e Kosovës po e përdor taksën mjedisore më shumë si burim të ardhurash fiskale, sesa si instrument për përmirësimin real të cilësisë së mjedisit.
“Po, në praktikë ashtu po ndodh. Taksat mjedisore janë konceptuar për të ndikuar në ndryshimin e sjelljes së ndotësve dhe për të financuar projekte për rehabilitimin e natyrës dhe zbutjen e dëmeve ekologjike. Por mungesa e një mekanizmi të dedikuar i ka shndërruar ato në burim të ardhurash fiskale, pa transparencë dhe pa përgjegjësi”, u shpreh znj. Shala-Kadiu.
Sipas saj kjo qasje është e gabuar, sepse e dëmton besimin publik dhe e kthen politikën mjedisore në një formë formale, pa efekt real në terren. Nëse të hyrat nga taksa mjedisore nuk rikthehen në veprime konkrete si rehabilitimi i lumenjve, investimet në ajër të pastër apo mbështetja për komunat në përmirësimin e mjedisit, atëherë ajo humb çdo legjitimitet etik dhe funksional. Për më tepër, kjo shkakton irritim te qytetarët, të cilët e shohin pagesën e saj si të padrejtë dhe pa kuptim praktik.
Në pyetjen se cilat janë pasojat konkrete për mjedisin dhe shëndetin publik kur paratë nga taksat mjedisore nuk kthehen në investime ekologjike?
Egzona Shala-Kadiu përgjigjet: “Pasojat janë të shumëfishta dhe afatgjata, me ndikime të drejtpërdrejta në sjelljen e qytetarëve, në besimin ndaj institucioneve dhe, mbi të gjitha, në gjendjen e mjedisit. Konkretisht:
- Degradimi i mjedisit: mungesa e investimeve në mbrojtjen e lumenjve, pyjeve dhe ajrit të pastër sjell ndotje të qëndrueshme dhe humbje të biodiversitetit.
- Rritja e sëmundjeve respiratore dhe kancerogjene, sidomos te fëmijët dhe të moshuarit, si pasojë e ndotjes së ajrit dhe ujit.
- Rënia e besimit qytetar: njerëzit nuk e shohin efektin e kontributit të tyre përmes taksave.
- Paaftësi institucionale: mungesa e rikthimit të fondeve për projekte konkrete dobëson kapacitetet e komunave dhe agjencive mjedisore për të vepruar me kohë.”
Në thelb, kjo përbën një dështim sistemik për të lidhur politikat fiskale me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe tregon mungesë transparence ndaj mjedisit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Si do të duhej të funksiononte një Ekofond i pavarur që të garantonte se çdo euro e mbledhur nga taksat mjedisore shkon realisht për qëllime mjedisore?
Ekologia Egzona Shala-Kadiu thekson: “Ne në EcoZ e mbështesim fuqishëm idenë e krijimit të një Ekofondi të pavarur, edhe pse ka pasur përpjekje të pasuksesshme më herët. Kosova, në fazën aktuale të zhvillimit, e ka urgjentisht të nevojshëm krijimin e një fondi mjedisor që do të mbështeste nisma dhe aktorë të ndryshëm në angazhimet për mbrojtjen e mjedisit.
Një model funksional i këtij fondi do të duhej të bazohej në këto parime:
- Menaxhim i pavarur: fondi nuk duhet të jetë nën ministritë me interesa buxhetore, por të drejtohet nga një bord me përfaqësim të barabartë të qeverisë, komunave, shoqërisë civile dhe ekspertëve mjedisorë. (Shembull pozitiv është Fondi i Efiçiencës së Energjisë së Kosovës – FKEE).
- Rikthim transparent i fondeve: çdo euro e mbledhur nga taksat mjedisore duhet të destinohet për projekte konkrete dhe të publikohet në mënyrë periodike (p.sh. raporte tremujore online).
- Përdorim tematik: fondi duhet t’i financojë qartë sektorët si: cilësia e ajrit, ujërat, biodiversiteti, energjia e pastër dhe edukimi mjedisor – në konsultim me shoqërinë civile dhe komunitetet lokale.
- Monitorim publik: të krijohet një mekanizëm i pavarur monitorues (me përfshirjen e OSHC-ve) që ndjek efektet reale të financimeve në terren.
- Rezultate konkrete: fondet të ndahen mbi bazën e indikatorëve konkretë të performancës, jo mbi bazë politike apo gjeografike.
“Vetëm në këtë mënyrë, taksa mjedisore do të shndërrohej në një instrument real për tranzicion të gjelbër dhe drejtësi mjedisore në Kosovë”, u shpreh ajo për Motilokal.
Prandaj, nëse taksat mjedisore nuk kthehen në projekte konkrete për mjedisin, atëherë qëllimi i tyre sigurisht se do të humbasë.
Nevojitet më shumë transparencë, planifikim afatgjatë dhe përdorim i drejtë i fondeve publike për ta bërë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.
/Motilokal.com
