Një person humbi jetën nga erërat e forta që goditën rajonin Val d'Oise, në veri të Parisit, mbrëmjen e së hënës, njoftoi prefektura lokale.
Sipas njoftimit zyrtar, një person ka ndërruar jetë, katër janë në gjendje kritike dhe pesë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Autoritetet bënë të ditur se erërat e fuqishme kanë rrëzuar vinça dhe kanë shkaktuar dëme në çati banesash.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 80 zjarrfikës, 50 oficerë policie dhe 20 pjesëtarë të shërbimit të urgjencës mjekësore.
Prefektura u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme, për të lehtësuar kalimin e automjeteve të emergjencës.
/Motilokal.com
