Një mënyrë e thjeshtë, natyrale dhe falas për të ndihmuar kopshtin dhe planetin nis me gjethet në oborr

Një mënyrë e thjeshtë, natyrale dhe falas për të ndihmuar kopshtin dhe planetin nis me gjethet në oborr

Për shumë njerëz, gjethet e rëna janë sinonim i rrëmujës së vjeshtës dhe fshesa, qeset plastike apo koshat plot janë pjesë e zakonshme e pastrimit sezonal. Por ndërsa rritet ndërgjegjësimi për kujdesin ndaj mjedisit, gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë se ky “ritual pastrimi” nuk është aq i dobishëm sa dukej.

Në fakt, gjethet janë një pasuri e madhe për natyrën dhe kopshtin: ato ushqejnë tokën, ruajnë lagështinë, mbrojnë pllenuesit dhe krijesat e vogla të dobishme, madje ndihmojnë edhe në reduktimin e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, shumë pronarë oborresh shqetësohen se mund të dëmtojnë barin, të tërheqin insekte të padëshiruara ose të prishin pamjen estetike. Ekspertët theksojnë se këto probleme mund të shmangen lehtë nëse gjethet menaxhohen me kujdes.

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), çdo vit rreth 10 milionë ton mbetje nga kopshtet përfundojnë në deponi, ku gjatë dekompozimit lëshojnë metan, një gaz që kontribuon fuqishëm në ngrohjen globale.

Por gjethet janë shumë më të vlefshme sesa mendojmë. “Ato krijojnë një mbulesë natyrale që pengon barërat e këqija, ruan lagështinë dhe rikthen lëndët ushqyese në tokë gjatë shpërbërjes”, shpjegon Mary Phillips nga National Wildlife Federation.

Përveç kësaj, shumë insekte të dobishme, si larvat e xixëllonjave apo foletë e fluturave, kalojnë dimrin nën shtresat e gjetheve. Këto shërbejnë edhe si vend ushqimi për zogjtë gjatë muajve të ftohtë.

Si t’i lini gjethet pa e prishur pamjen e oborrit

Zgjidhja më e mirë, sipas ekspertëve, është t’i lini gjethet aty ku bien. “Kjo ndihmon pllenuesit dhe ruan ekuilibrin e ekosistemit”, thotë Phillips.

Nëse shqetësoheni se barishtet do të dëmtohen, mjafton t’i shpërndani në një shtresë të hollë. Një mbulesë e lehtë do të shpërbëhet natyrshëm deri në pranverë, ndërsa shtresat e trasha në zona të lagështa duhen shmangur.

Një mënyrë tjetër praktike është që gjethet t’i grumbulloni rreth pemëve ose në shtretërit e luleve, ku mund të shërbejnë si mulç natyral. Për një pamje më të rregullt, mund të vendosni një bordurë të vogël dekorative ose gardh të ulët që të tregojë se “shtresa e gjetheve” është pjesë e qëllimshme e dizajnit.

Nëse keni shumë gjethe, mund t’i grumbulloni në tufa të veçanta ose t’i vendosni në struktura natyrale të quajtura “gardhe të vdekura”, kombinime degësh e shkopinjsh që i japin kopështit një pamje organike dhe funksionale.

Kujdes ku i lini

Mos i grumbulloni gjethet pranë hyrjeve, shtigjeve apo themeleve të shtëpisë, për të shmangur lagështinë dhe insektet e padëshiruara. Në zona ku ka rriqna ose brejtës, mbani shtigjet të pastra.

Kur është koha më e mirë për t’i shpërndarë

Filloni në fillim të vjeshtës, përpara se temperatura të bjerë shumë dhe insektet të fillojnë të futen nën gjethe. “Kur temperatura bie nën 10°C, shumë insekte fillojnë dimërimin. Më pas, çdo pastrim i tepërt mund t’u prishë strehën”, shpjegon peizazhistja Krista De Cooke.

Në pranverë, mos nxitoni t’i hiqni menjëherë. Prisni derisa të rriten temperaturat dhe insektet të dalin nga dimërimi ato do të jenë ndihmësit tuaj më të mirë për një kopsht të shëndetshëm dhe të lulëzuar.

/Motilokal.com