Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të mërkurën se ngrohja globale po e shtyn Tokën më tej drejt rrënimit dhe u bëri thirrje vendeve të vendosin sisteme paralajmërimi për fatkeqësi për të mbrojtur njerëzit nga kushtet ekstreme të motit.
Secili prej dhjetë viteve të fundit ka qenë më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë. Temperaturat e oqeaneve po thyejnë rekorde, ndërsa shkatërrojnë ekosistemet. Dhe asnjë vend nuk është i sigurt nga zjarret, përmbytjet, stuhitë dhe valët e të nxehtit, u tha ai ambasadorëve në një konferencë të jashtëzakonshme të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM) të OKB-së në Gjenevë për të shënuar 75-vjetorin e saj.
Guterres u bëri thirrje vendeve të sigurojnë fonde për një sistem global monitorimi, të njohur si Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm, për të mbrojtur popullatat nga kushtet ekstreme të motit.
Njoftimi 24 orë para një ngjarjeje të rrezikshme mund të zvogëlojë dëmet deri në 30 për qind, shtoi ai.
Më shumë se 60 për qind e vendeve e kanë futur sistemin që kur Guterres nisi një iniciativë në vitin 2022 që të gjitha vendet duhet ta kenë atë deri në vitin 2027.
Gjatë pesë dekadave të fundit, fatkeqësitë që lidhen me motin, ujin dhe klimën kanë marrë më shumë se dy milionë jetë, 90 për qind e të cilave kanë ndodhur në vendet në zhvillim, tha të hënën OBM-ja.
/Motilokal.com
