Moti i keq godet Elbasanin: rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie

Moti i keq godet Elbasanin: rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie

Qarku i Elbasanit u përfshi gjatë natës nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe rrebeshe të shoqëruara me erë të fortë në disa zona.

Pavarësisht motit të keq, strukturat e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut raportojnë se situata paraqitet përgjithësisht e qetë dhe pa probleme serioze.

Në disa akse rrugore janë regjistruar prani ujërash dhe rrëzime pemësh. Në aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”, qarkullimi u ndërpre përkohësisht pas rënies së inerteve, por pas ndërhyrjes së firmës kontraktuese, rruga u pastrua dhe është tashmë e kalueshme.

Rënie inertesh është raportuar edhe në akset Gramsh–Moglicë dhe Gramsh–Cërrik, ndërsa probleme të ngjashme me qarkullimin janë evidentuar në segmentet Kodovjat–Shelcan, Sotirë–Kërpicë dhe Skënderbegas–Ermenjë.

Bashkia Gramsh njofton se janë marrë masat për pastrimin e rrugëve dhe po punohet për zhbllokimin e plotë të tyre.

Në rrethrrotullimin e Shijonit, pranë hyrjes së autostradës Elbasan–Tiranë, është regjistruar një sasi e konsiderueshme ujërash, duke krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin e mjeteve.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, janë raportuar ndërprerje në njësitë administrative Përparim (Peqin), Labinot Mal dhe Funar (Elbasan), si edhe në Lunik (Librazhd). Grupi i gatishmërisë së OSHEE-së ndodhet në terren dhe po punon për rikthimin e furnizimit.

Autoritetet lokale vijojnë ndjekjen e situatës dhe janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.

/Motilokal.com