Edhe mëngjesin e sotëm, qarku i Kukësit është përfshirë nga moti i keq, me reshje shiu dhe erëra të forta. Në disa akse rrugore janë shënuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh.
Sipas informacioneve paraprake, disa rrugë rurale të fshatrave të Kukësit, si Lojme, Bele, Cërnalevë, Oreshkë, Zapot, Orgjost dhe Nimçë, kanë pësuar dëmtime për shkak të shembjeve të dherave.
Në akset kombëtare Kukës–Bushticë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Fierëz, ka prezencë të gurëve të rënë në rrugë. Disa fshatra të zonave të thella vijojnë të kenë probleme me furnizimin me energji elektrike.
Nga ana tjetër, reshjet e shiut kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës hidrike në Liqenin e Kukësit, si rezultat i shtimit të prurjeve nga lumenjtë Drini i Zi, Drini i Bardhë dhe lumi Luma. Rrënojat e Kukësit të Vjetër, që ndodhen në këtë basen, janë mbuluar tashmë nga uji. Pamjet tregojnë se niveli i ujit po rritet me disa metra në ditë, duke sjellë një frymëmarrje për prodhimin e energjisë elektrike pas periudhës së gjatë të thatësirës.
Probleme nga reshjet raportohen edhe në Bulqizë. Uji ka dalë nga shtrati i Zallit të Thatë dhe ka përmbytur rrugën që lidh fshatrat Kokërdhak dhe Koçaj, në njësinë Fushë Bulqizë. Banorët tregojnë se mbetën të bllokuar për rreth tre orë.
Ata thonë se nuk është hera e parë që përmbyten, ndërsa kërkojnë që autoritetet të marrin masa për të shmangur përsëritjen e situatës.
/Motilokal.com
