Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit tashmë janë vënë nën mbrojtje.
Ai tha se javën e kaluar ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të këtyre zonave, duke e cilësuar atë si një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
“Me këtë vendim, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën një pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike dhe shkencore”, shkroi Durmishi në Facebook.

Ai bëri të ditur se zona, me sipërfaqe prej 192.19 km², vihet tashmë nën mbrojtje paraprake, duke ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.
/Motilokal.com
