Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë në Bukuresht, i drejtuar nga Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jorgensen.
Në një videomesazh, Balluku theksoi një arritje të rëndësishme të Shqipërisë gjatë këtij viti, bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin e burimeve energjetike.
“Për herë të parë, raporti 8-mujor për 2025-n tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga energjia diellore, duke çuar kështu raportin e prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% diellore.”
Ajo shtoi se gjatë ditës pati mundësinë të takohej dhe të diskutonte me shumë nga kolegët e pranishëm, përfshirë Komisionerin Jørgensen, por veçoi takimin bilateral me ministrin rumun të Energjisë. Në këtë takim u diskutua për krijimin e një plani për një bosht energjetik rajonal që përfshin Shqipërinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Italinë.
Balluku nënvizoi se bashkëpunimi i gjerë rajonal është dhe do të mbetet baza e suksesit për sigurinë energjetike në Evropë.
/Motilokal.com
