Një studim i publikuar në revistën “Annals of Internal Medicine” ka zbuluar se mënyra si ecim mund të ndikojë në shëndetin e zemrës, jo vetëm numri i hapave.
Në kërkimin e kryer me mbi 33 mijë persona të moshës 40 deri në 79 vjeç, të cilët bënin më pak se 8 mijë hapa në ditë, pjesëmarrësit u ndanë në grupe sipas kohëzgjatjes së shëtitjeve të tyre, disa ecnin vetëm 5 minuta, të tjerë deri në 10, 15 apo më shumë minuta rresht.
Gjatë periudhës nëntëvjeçare të vëzhgimit, studiuesit vunë re se ata që bënin shëtitje më të gjata, mbi 15 minuta, kishin një rrezik dukshëm më të ulët për sëmundje kardiovaskulare sesa ata që e arrinin të njëjtin numër hapash me shumë shëtitje të shkurtra gjatë ditës.
“Nuk po themi që shëtitjet e shkurtra nuk kanë efekt,” tha autori kryesor i studimit, Borja del Pozo Cruz. “Por duket se një shëtitje më e gjatë në ditë mund të jetë më e dobishme për zemrën.”
Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes. Profesori Kevin McConway nga Universiteti Open në Britani theksoi se studimi tregon një lidhje mes ecjes dhe shëndetit të zemrës, por jo domosdoshmërisht një shkakësi të drejtpërdrejtë. Ai shtoi se faktorë si gjendja shëndetësore, etnia dhe stili i jetesës së pjesëmarrësve mund të kenë ndikuar në rezultatet përfundimtare.
/Motilokal.com
