Moti i mirë favorizon mbjelljen e grurit

Moti i mirë favorizon mbjelljen e grurit

Ministria e Bujqësisë e Kosovës përmes një postimi në Facebook se sezoni i mbjelljes së grurit ka hyrë në fazën e tij më intensive në mbarë vendin. Pas përfundimit të punimeve të vjeshtës, bujqit po shfrytëzojnë motin e qëndrueshëm për të kryer mbjelljet e planifikuara. Gruri mbetet një nga kulturat më të rëndësishme për prodhimin bujqësor, ndaj respektimi i afateve optimale dhe përshtatja me kushtet klimatike është thelbësore për një rendiment të mirë.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar fermerë,

Kultivuesit e kulturave lavërtare në të gjithë vendin tashmë kanë filluar mbjelljen e planifikuar të grurit. Siç dihet, afati optimal për mbjelljen e grurit dimëror është nga data 5 deri më 25 tetor. Megjithatë, ekziston edhe një afat i zgjatur, gjatë të cilit mbjellja mund të kryhet me sukses, në varësi të kushteve klimatike.

Duke marrë parasysh kushtet aktuale të favorshme klimatike në Kosovë, Departamenti për Shërbime Këshillimore dhe Teknike (DSHKT) rekomandon që afati i mbjelljes së grurit të vazhdohet deri më 15 nëntor, e në disa raste edhe deri në fund të muajit nëntor, nëse temperaturat dhe lagështia e tokës mbeten të përshtatshme.

Rekomandime për fermerët që mbjellin pas afatit optimal

Ekspertët bujqësor dhe këshilltarët e DSHKT-së këshillojnë që:

1. Të rritet sasia e farës dhe plehut bazë për 6–10%, në mënyrë që të kompensohet ulja e mundshme e rendimentit si pasojë e vonesës në mbjellje;

2. Të përdoret farë e certifikuar dhe me cilësi të lartë, pasi kjo është garancia kryesore për prodhimtari të qëndrueshme dhe rezistente ndaj sëmundjeve.

Çfarë duhet të bëni për të siguruar mbirjen dhe zhvillimin e mirëfilltë të bimës:

• Përgatitja e tokës: Përfitoni nga periudhat me lagështi të përshtatshme pas reshjeve për të kryer lëvrimin dhe nivelimin e tokës. Një tokë mirë e përgatitur siguron mbirje të shpejtë dhe rrënjosje të mirë të bimës.

• Lëvrimi dhe punimi i imët ndihmojnë në krijimin e kushteve të përshtatshme për kontaktin e farës me tokën.

• Mbjellja e mekanizuar (me makina mbjellëse) siguron shpërndarje të njëtrajtshme të farës dhe thellësi uniforme të mbjelljes – shmangni mënyrat manuale ose të rastësishme të mbjelljes.

• Plehërimi bazë rekomandohet të bëhet me NPK 15:15:15 në sasi prej 300–350 kg/ha, ndërsa pas mbirjes të kryhet ri-plehërimi me ure (100–150 kg/ha), në varësi të gjendjes së bimës dhe lagështisë së tokës.

• Pas mbjelljes, është e rëndësishme zbatimi i masave agroteknike sipas kalendarit bujqësor për grurin, përfshirë monitorimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve, si dhe trajtimin me pesticide të aprovuara, nëse është e nevojshme.

Kujdes!

Mbjellja pas afatit optimal kërkon kujdes më të madh në përgatitjen e tokës, sasinë e farës, dhe furnizimin e mjaftueshëm me lëndë ushqyese, në mënyrë që të shmanget ndikimi negativ në rendiment dhe cilësi të kokrrës.

Për informata shtesë dhe këshilla profesionale:

Fermerët mund të kontaktojnë këshilltarët fushorë në Qendrat për Informim dhe Këshillim Komunal (QIKK) në komunat përkatëse, ose Departamentin për Shërbime Këshillimore dhe Teknike (DSHKT) pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, adresa: Rr. “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish “Ramiz Sadikut”, nr. 120, kati III, Prishtinë – Kosovë, tel: +383 (0)38 200 38426 ose e-mail: [email protected].

/Motilokal.com