Një studim i ri nga Universiteti i Hong Kongut tregon se acidi oleik përbërësi kryesor në vajin e ullirit dhe në frutat e thata mund të forcojë qelizat imunitare që luftojnë kancerin. Sipas raportimit të New Atlas, ky acid yndyror i shëndetshëm ndihmon trupin të krijojë një vijë të parë mbrojtjeje kundër infeksioneve dhe zhvillimit të tumoreve.
Gjatë studimit, shkencëtarët izoluan qeliza njerëzore dhe i ekspozuan ndaj disa llojeve të acideve yndyrore që gjenden zakonisht në vaj palme, mish dhe produkte qumështi. Ata analizuan mbijetesën e qelizave, metabolizmin dhe aftësinë e tyre për të shkatërruar qelizat tumorale.
Rezultatet dolën të qarta. Qelizat e ekspozuara ndaj acidit oleik mbetën aktive dhe të shëndetshme, me mitokondri të qëndrueshme dhe mekanizma të fortë kundër tumoreve. Në krahasim, qelizat e ekspozuara ndaj acidit palmitic, që gjendet në yndyrnat shtazore, u dëmtuan rëndë dhe humbën funksionin.
Sipas profesor Wenwei nga Fakulteti i Mjekësisë HKUMed, ushqimet e pasura me acid oleik, si vaji i ullirit dhe avokadoja, mund të përmirësojnë “vigjilencën imunitare” të trupit dhe të ndihmojnë në trajtime më efektive kundër kancerit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate janë testuar vetëm në laborator dhe tek minjtë, prandaj nevojiten kërkime të mëtejshme tek njerëzit. Sidoqoftë, zbulimi mbështet idenë se yndyrnat natyrale dhe të shëndetshme mund të kenë rol të rëndësishëm në mbrojtjen qelizore dhe në parandalimin e kancerit.
/Motilokal.com
