Një pjesë e autostradës franceze mbush veturat elektrike gjatë vozitjes

Një pjesë e autostradës franceze mbush veturat elektrike gjatë vozitjes

Në një segment prej 1.5 kilometrash të autostradës A10 në Francë, automjetet elektrike mund të mbushën gjatë vozitjes nëpërmjet teknologjisë pa tel të integruar në rrugë.

Është një mbushës që është pothuajse në të njëjtin nivel me supermbushësit më të fundit V4 të Tesla’s prej 325 kW dhe tejkalon mbushësit V3 prej 250 kW, të gjitha pa kabllo. Mbushja zgjat ndërsa vetura është duke ecur në autostradë, gjë që është një arritje mjaft mbresëlënëse.

Projekti quhet "Mbush ndërsa ngas" dhe drejtohet nga VINCI Autoroutes, operatori më i madh i rrugëve me pagesë në Francë, në partneritet me Electreon dhe të tjerë. Franca dëshiron të ndërtojë rreth 9,000 kilometra rrugë elektrike deri në vitin 2035, dhe ky është hapi i parë i disponueshëm publikisht drejt këtij qëllimi.

Gjatë testimit fillestar publik, katër automjete elektrike të modifikuara, duke përfshirë një gjysmërimorkio të madhe, një furgon, një veturë pasagjerësh dhe një autobus, u mbushën me sukses në mënyrë dinamike gjatë lëvizjes në autostradë.

Sistemi i mbushjes induktiv transferon energji nga bobinat e vendosura nën asfalt te marrësit e vendosur nën çdo automjet. Testet e pavarura të kryera nga Universiteti Gustave Eiffel kanë konfirmuar se sistemi vazhdimisht ofron më shumë se 200 kW fuqi mesatare me vlera maksimale mbi 300 kW.

"Kjo shënon një moment vendimtar në zhvillimin global të rrugëve pa tel. Teknologjia jonë është e vetmja e aftë të ofrojë mbushje dinamik me fuqi të lartë dhe të besueshëm. Jo vetëm që përmbush, por i tejkalon të gjitha objektivat e vendosura nga qeveria franceze", tha drejtori ekzekutiv i Electreon, Oren Ezer.

Për operatorët e transportit të mallrave, pasojat mund të jenë të mëdha. Vonesat në mbushje vazhdojnë të jenë një nga problemet më të mëdha në transportin elektrik, veçanërisht për flotat e udhëtimeve të gjata. Një sistem që mundëson mbushjen e vazhdueshëm gjatë lëvizjes mund të eliminojë plotësisht ndalesat e gjata për rimbushje.

Drejtori ekzekutiv i VINCI Autoroutes, Nicolas Notebaert, tha se teknologjia do të “zvogëlojë emetimet e gazrave serrë nga sektori i transportit të mallrave dhe logjistikës”, i cili aktualisht përbën më shumë se 16 për qind të emetimeve totale të Francës.

Electreon po zhvillon projekte të ngjashme në nëntë vende të tjera, përfshirë SHBA-në, Izraelin dhe disa vende evropiane. Rrugët elektrike ekzistojnë tashmë në Michigan dhe Utah.

Në Tel Aviv, Electreon prezantoi mbushjen e shpejtë pa tel për autobusët e qytetit. Testet provuese konfirmuan disa përfitime kryesore, përkatësisht uljen e kohës së ndërprerjes për shkak të mbushjes, rritjen e kohës së funksionimit dhe një ulje dramatike të madhësisë së baterisë falë mbushjes gjatë rrugës nga rreth 400 kWh në vetëm 42 kWh, një ulje prej gati 90 për qind.

Në Suedi, Smartroad Gotland po e shndërron një segment rrugor prej 1.6 kilometrash pranë Visby-t në një rrugë prove për mbushjen pa tel. E udhëhequr nga Electreon, ajo do të mbushë autobusë dhe kamionë elektrikë në lëvizje për të vlerësuar qëndrueshmërinë e autostradave të elektrizuara.

Nëse kjo teknologji ka sukses, ankesat e shumë njerëzve në lidhje me kohën e mbushjes dhe infrastrukturën mund të zbuten ndjeshëm, nëse jo të eliminohen plotësisht.

/Motilokal.com