Australia do t'u ofrojë qytetarëve tre orë energji diellore falas në ditë

Australia do t'u ofrojë qytetarëve tre orë energji diellore falas në ditë

Australia do t'u ofrojë familjeve, përfshirë ato pa panele diellore, të paktën tre orë energji diellore falas çdo ditë, sipas një programi për kursimin e energjisë që do të bëhet aktiv në vitin 2026, tha sot Ministri Australian i Energjisë Chris Bowen.

Programi "Solar Sharer" do të lansohet fillimisht në shtetin federal të Uellsit të Ri Jugor, Australisë Jugore dhe Queenslandit juglindor, dhe më pas do të zgjerohet në pjesë të tjera të vendit.

Qytetarët do të jenë në gjendje të përdorin energji falas gjatë periudhave të prodhimit maksimal, kryesisht gjatë mesditës.

"Familjet që arrijnë ta përshtatin konsumin e tyre me periudhat e lira të energjisë elektrike do të përfitojnë drejtpërdrejt, pavarësisht nëse kanë panele diellore apo jo, dhe pavarësisht nëse janë pronarë apo qiramarrës. Sa më shumë njerëz t'i bashkohen programit dhe ta zhvendosin konsumin e tyre në këto orare, aq më i madh është përfitimi për të gjithë sistemin dhe kostot më të ulëta për të gjithë përdoruesit e energjisë elektrike", tha Bowen.

Në Australi, tashmë ka panele diellore në çatitë e rreth katër milionë familjeve.

Programi do të jetë i disponueshëm edhe për qiramarrësit në ndërtesa që nuk kanë panelet e tyre diellore, me kusht që të kenë një matës inteligjent dhe ta përshtatin konsumin e energjisë në mes të ditës, kur mund të përdorin energji elektrike falas ose të mbushin automjetet elektrike.

Në vitin 2022, Australia vendosi një objektiv që 82 për qind e energjisë elektrike të vijë nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030, me një ulje të mandatuar ligjërisht të emetimeve të gazrave serrë prej 43 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2005.

/Motilokal.com