Turqia planifikon që vitin e ardhshëm të lansojë nëntë trena elektrikë të prodhuar në vend dhe një tren të ri me shpejtësi të lartë.
Sipas mediave ndërkombëtare, përcjell Telegrafi, objektivi kryesor është që automjetet hekurudhore të projektohen dhe prodhohen me burime vendase, duke rritur përqindjen e përmbajtjes vendore në komponentët kryesorë.
Programi përfshin zhvillimin e kërkimit dhe inovacionit (R&D), prodhimin e automjeteve dhe nënkomponentëve hekurudhorë, si dhe mirëmbajtjen e tyre. Në të njëjtën kohë, tenderët publikë do të favorizojnë prodhimin vendas, ndërsa projektet e reja do të mbështeten përmes fondeve për kërkim dhe zhvillim.
Kompania turke Turasas po udhëheq procesin e projektimit dhe prototipimit të trenave vendas për t’u përshtatur me nevojat e sektorit hekurudhor. Prototipi i parë i trenit të shpejtësisë së lartë, i cili pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, do të mund të arrijë deri në 225 km/orë.
Në zhvillim janë gjithashtu nëntë trena elektrikë që do të kenë shpejtësi deri në 160 km/orë, si dhe rreth 30 lokomotiva kombëtare elektrike.
Programi i vitit 2026 synon të forcojë transportin hekurudhor dhe detar, duke ulur kostot dhe ndikimin mjedisor dhe duke rritur efikasitetin energjetik në sektorin e transportit dhe logjistikës.
/Motilokal.com


