Tartufi shqiptar – pasuria e fshehur që ende nuk po shfrytëzohet

Tartufi shqiptar – pasuria e fshehur që ende nuk po shfrytëzohet

Në tregun botëror, një kilogram tartuf mund të arrijë deri në 3.000 euro. Një çmim që duket i pabesueshëm për një kërpudhë, por ky është realiteti i “diamantit të kuzhinës”.

Në Itali dhe Francë, tartufi është pasion dhe profesion. Qentë e racës Lagotto Romagnolo stërviten për ta nuhatur këtë kërpudhë të rrallë, që rritet nën tokë dhe gjendet vetëm nga nuhatja e hollë e kafshëve të trajnuara.

Në Shqipëri, kjo pasuri natyrore është shumë më pranë se sa mendojmë. Rritet në zonat e pyjeve me lisa, gështenja e pisha, sidomos në veri dhe në jug të vendit. Por, për fat të keq, shumë pak njerëz e dinë vlerën e saj reale.

Çdo vit, qindra kilogramë tartuf shqiptarë përfundojnë jashtë vendit, shpesh të blerë për pak euro nga “gjuetarë” të huaj, për t’u rishitur në tregjet evropiane me çmime marramendëse.

Tartufi i bardhë është më i rralli dhe më i shtrenjti. Në disa raste, çmimet e tij arrijnë deri në 1.000 euro për kilogram dhe madje kuotohen në bursë. I ziu është më i zakonshmi, por sërish vlen qindra euro.

Këto kërpudha nuk kanë rrënjë, degë apo gjethe. Jetojnë si parazitë në rrënjët e pemëve, duke thithur kripëra minerale që i japin aromën e veçantë. Ajo aromë varet nga pema ku rriten, tartufi i rritur në lis ka një nuancë më të fortë e më tokësore, ndërsa ai pranë gështenjës është më i butë.

Në zonat e Reçit në Malësi të Madhe, tartufi i bardhë gjendet mes pyjeve të gështenjave dhe njihet për cilësinë e lartë. Një pjesë e vogël përfundon në restorantet më të mira të Tiranës dhe Durrësit, por sasia më e madhe largohet jashtë kufijve pa kontroll.

Në të kaluarën, për kërkimin e tartufit përdoreshin derrat, të cilët e nuhasnin aromën e tij për shkak të feromoneve të ngjashme me ato të mashkullit. Sot, janë qentë e trajnuar që e bëjnë këtë punë, shpesh më mirë se çdo njeri.

Tartufi nuk mund të kultivohet me sukses në kushte artificiale, ndaj çdo gram që del nga toka është i vlefshëm. Sa më i madh të jetë zhardhoku, aq më i çmuar bëhet.

Në thelb, Shqipëria po humbet një pasuri që rritet në heshtje nën pyjet e saj. Tartufi është më shumë se një kërpudhë, është një mundësi e artë ekonomike, një produkt që mund të kthehej në krenari kombëtare, nëse do të dinim ta mbrojmë e ta vlerësojmë.

Përveç vlerave gastronomike, tartufi është gjithashtu shumë i shëndetshëm, sepse ato rivendosin qelizat e trurit dhe forcojnë trupin.

/Motilokal.com