
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se aktualisht “nuk ka të dhëna” që njerëzit të cilët janë shëruar nga sëmundja COVID-19 dhe kanë antitrupa, nuk mund të infektohen sërish.
OBSH-ja po ashtu paralajmëroi kundër “pasaportave të imunitetit” ose “certifikatave” që dëshmojnë se njerëzit e shëruar nuk paraqesin rrezik për të infektuar të tjerët me COVID-19, duke thënë se praktika të tilla në fakt mund të bëjnë që virusi të përhapet më shumë.
Pyetja nëse ekziston rreziku i infektimit për herë të dytë ka qenë dominuese, megjithatë ekspertët thonë se as ata vetë nuk e dinë plotësisht të vërtetën, ndonëse sipas tyre ka prova të shumta që tregojnë se një lloj mbrojtjeje nga virusi, arrin të krijohet.
Dr. Maria Van Kerkhove nga OBSH më parë ka thënë se nuk dihet nëse personat të cilët janë ekspozuar ndaj virusit bëhen plotësisht imunë. Një përmbledhje e re e OBSH-së nënvizon atë qëndrim dhe bën fjalë për deklarata të tjera shkencore në lidhje me idenë e zhvillimit të imunitetit.
Dr. Mary Hayden, zëdhënëse për IDSA dhe shefe e Divizionit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Rush, tha: "Ne nuk e dimë nëse pacientët që kanë këto antitrupa janë apo jo rrezik të infektohen sërish me COVID-19. Në këtë pikë, unë mendoj se ne duhet të supozojmë se ata mund të jenë në rrezik".
"Ne nuk e dimë edhe nëse antitrupat janë mbrojtës, çfarë shkalle të mbrojtjes ata sigurojnë, kështu që mund të jenë të plota, mund të jenë të pjesshme, ose sa zgjasin antitrupat", shtoi Hayden.
“Rekomandohet që njerëzit me antitrupa të mos ndryshojnë sjelljen e tyre në asnjë mënyrë, të vazhdojnë distancimin shoqëror etj. Dhe ne mendojmë se kjo është një pikë me të vërtetë e rëndësishme për të theksuar sepse jemi të shqetësuar se nëse kjo mund të jetë e pranishme, se këto antitrupa mund të të keqinterpretohen, njerëzit mund ta vënë veten në rrezik të panevojshëm", tha Hayden.
Shteti i Kilit javën e kaluar nisi të shpërndajë “pasaporta të shëndetit” për njerëzit që ishin shëruar nga koronavirusi. Në këtë shtet, kushdo që është shëruar nga koronavirusi, mund të rikthehet në punë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë infektuar mbi 2,8 milionë njerëz nga koronavirusi i ri. Shkencëtarët po punojnë për të zbuluar gjithë çfarë duhet ditur për sjelljen e koronavirusit të ri./Motilokal.com